Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se po vazhdon me vendosmëri beteja kundër kumarit dhe kredive të shpejta, me synim mbrojtjen e familjeve dhe të ardhurave të qytetarëve.
Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti ka njoftuar për rezultatet e kontrolleve të realizuara në shoqëritë financiare, ku janë kontrolluar 27 shoqëri dhe janë shqiptuar 18 masa inspektuese.
Sipas tij, si rezultat i këtyre kontrolleve, pritet që qytetarëve t’u kthehen nga 140 deri në 200 milionë denarë, ndërsa gjobat e shqiptuara mund të arrijnë deri në 100 mijë euro.
“Qëllimi ynë është i qartë, të mbrojmë familjet, të ardhurat dhe mirëqenien e qytetarëve nga praktikat që i rëndojnë financiarisht”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar se institucionet nuk do të lejojnë që varësia nga kumari apo nevoja për para të shpejta të shfrytëzohen në dëm të qytetarëve.
“Paratë dhe dinjiteti i qytetarëve meritojnë mbrojtje. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me kontrolle, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit, pa përjashtim!”, ka deklaruar Mexhiti.