Ministri i Ekonomisë dhe Punës në Maqedoninë e Veriut, Besar Durmishi, ka bërë të ditur se kontrollet ndaj shoqërive financiare që ofrojnë kredi të shpejta do të vazhdojnë, ndërsa qytetarëve pritet t’u kthehen deri në 200 milionë denarë.
Përmes një postimi në Facebook, Durmishi ka njoftuar se në kuadër të kontrolleve janë inspektuar 27 shoqëri financiare, ndaj të cilave janë shqiptuar 18 masa inspektuese.
Ai ka bërë të ditur se gjobat për shkeljet e konstatuara mund të arrijnë deri në 100 mijë euro.
“Paratë e qytetarëve do t’u kthehen qytetarëve!”, ka shkruar Durmishi.
Sipas tij, si rezultat i kontrolleve të realizuara, qytetarëve pritet t’u kthehen nga 140 deri në 200 milionë denarë.
Durmishi ka theksuar se institucionet nuk do të lejojnë që shoqëritë financiare të përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe vështirësive të tyre financiare.
“Nuk do të lejojmë që askush të përfitojë në kurriz të qytetarëve dhe vështirësive të tyre financiare. Do të vazhdojmë me kontrolle intensive dhe zbatim joselektiv të ligjit.
Çdo denarë i marrë padrejtësisht duhet t’u kthehet qytetarëve!”, ka deklaruar ai.