Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka zhvilluar një takim në Zvicër me ekspertë, profesionistë, biznesmenë dhe bashkatdhetarë shqiptarë, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e kontributit të mërgatës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe për arritjet e bashkatdhetarëve në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, ekonominë dhe biznesin.
Ai ka theksuar rëndësinë e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë, transferimit të dijes dhe përvojës, si dhe mundësive për investime në vendlindje.
“Bashkëbiseduam për rëndësinë e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë, transferimin e dijes, përvojës dhe ekspertizës, si dhe mundësitë e investimit në vendlindje”, ka shkruar Ahmeti.
Tutje, ai e ka vlerësuar mërgatën si një pasuri të çmuar kombëtare dhe potencial të madh për zhvillimin ekonomik e shoqëror.
“Mërgata jonë është një pasuri e çmuar kombëtare dhe një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë”, ka theksuar Ahmeti.
Në fund, ai ka shprehur krenarinë për arritjet e bashkatdhetarëve shqiptarë në Zvicër.