Ilir Meta dekoron pesë peshëngritës

Sporti

Ilir Meta dekoron pesë peshëngritës

Më: 30 janar 2021 Në ora: 16:32
Ilir Meta dekoron pesë peshëngritës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar pesë peshëngritës, duke i cilësuar si kampionë, rekordmenë dhe trajnerë kampionësh.

Ferid Berberi, Hysen Cenaj, Muharrem Berisha, Myslym Myslymi dhe Leonard Toska janë dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” ka deklaruar se është krenar që vlerësoi sportistët dhe trajnerët e mëdhenj që kontribuan aq shumë që flamuri i Shqipërisë të ngrihej në arenën ndërkombëtare me krenari.

“Peshëngritja meriton nderime të veçanta sepse ka qenë sporti, që arriti rekord botëror dhe ngriti Flamurin Kombëtar, si rrallë sporte të tjera.

Profesor Ferid Berberi, Hysen Cenaj, Muharrem Berisha, Myslym Myslymi dhe Leonard Toska janë pesë kampionë, rekordmenë dhe trajnerë kampionësh, një buqetë e jashtëzakonshme sportistësh të përmasave ndërkombëtare, që me kontributet dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në një periudhë tepër të vështirë për vendin u shndërruan në model frymëzimi për peshëngritësit e rinj dhe burim krenarie për të gjithë ne.

I lumtur të vlerësoja këta sportistë e trajnerë të mëdhenj, e nëpërmjet tyre, të gjithë legjendat e peshëngritjes shqiptare, që aq shumë kontribuan, që flamuri i Shqipërisë të ngrihej në arenën ndërkombëtare me krenari.

I kemi dhënë botës shumë kampionë, por duhet ta mbështesim edhe më shumë peshëngritjen shqiptare për t’i dhënë të tjerë rekordmenë, që të ngrenë lart Flamurin Kombëtar", shkruan në letrën e Metës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat