Kaosi në KOKSH

Sporti

Kaosi në KOKSH

Më: 9 prill 2021 Në ora: 12:53
Kaosi në KOKSH

Viron Bezhani, i cili vijon të mos e njo hë e shkarkimin e tij si presidenti i Komitetit Olimpik nga asambleja e jashtëzakonshme e zhvilluar në muajin janar, së fundmi ka reaguar pas njoftimit se mbi 20 federata nuk plotësojnë dokumentacionin për të marrë pjesë në Asamblenë Zgjedhore që do të mbahet më 17 prill. Sipas Bezhanit gjithçka është e studiuar dhe është bërë me qëllimin e qartë për t’u nxjerrë pengesa anëtarëve të asamblesë.

Nëpërmjet një prononcimi për “Panorama Sport”, Bezhani i komenton kështu zhvillimet e fundit në KOKSH: “Veprimi që ka bërë Komiteti Olimpik është i turpshëm dhe sigurisht i paligjshëm, por këta persona kanë treguar që nuk duan t’ia dinë për ligj, për shtet dhe për asgjë”, shprehet fillimisht Bezhani, i cili më pas vijon:

“Kush janë këta njerëz që heqin Federatën e Futbollit me anë të një shkrese ku thuhet se nuk ka dhënë informacion për aktivitetet që ka bërë. Si mund të heqësh një kandidat si Artan Shyti, gjoja e paska propozuar një federatë që nuk është në rregull me dokumentacionin”. Bezhani e quan një skenar të mirëstudiuar afatin prej 5 ditësh që u është lënë federatave për të plotësuar mangësitë e dokumentacionit: “Ky është një përjashtim i pastër. Nuk është aspak rastësi që e kanë lajmëruar vetëm një ditë më parë. Si do ta plotësojnë dokumentacionin në një hapësirë kaq të vogël kohore. Thonë 5 ditë ndërkohë që jemi në fundjavë dhe të shtunë e të diel nuk mund të bësh asnjë veprim. Pse e kanë lënë për në këtë pikë? Këta çdo gjë e kanë me plan të studiuar mirë me qëllimin e vetëm për t’i përjashtuar ata që i kanë kundër dhe për të fituar zgjedhjet”.

Ndërkohë si një prej organizatorëve ai përmend edhe kreun e çiklizimit, Skënder Anxhakun, për të cilin thotë se po përdoret nga drejtuesit e KOKSH: “Pas kësaj loje fshihen hajdutët dhe atë që mblodhën votat false për thirrjen e asamblesë.

Ata që gënjyen njerëzit dhe federatat me lekë. I pari ndër ta është Skënder Anxhaku, i cili është kthyer në një vegël të Stavri Bellos dhe kompanisë tjetër në KOKSH. Këta janë kokë e këmbë mashtrues dhe hajdutë”. Në fund Bezhani thotë se pas kësaj situate që po ndodh KOKSH fshihet politika dhe se vetëm në këtë formë mund të bëhet president, kandidati Fidel Ylli: “E gjitha kjo po bëhet për të bërë president Fidel Yllin.

Ai nuk mund të zgjidhet kurrë president i Komitetit Olimpik, nëse gara do të jetë e ndershme sepse federatat nuk zgjedhin një njeri të partisë para njerëzve të sportit. Kjo që po ndodh këtu është një skandal dhe një turp i madh, për të cilin do të informohet edhe CIO”, përfundoi prononcimin e tij Viron Bezhani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat