Teksa Juta Lerdam siguronte medaljen e artë olimpike, lotët i rridhnin në fytyrë, duke i shkrirë rimelin, i vetmi person që qante pothuajse po aq ishte i fejuari i saj në tribunë, Xhejk Pol.Influencuesi boksier dhe Juta janë të fejuar që nga viti i kaluar.
Pol ndodhej në rreshtin e dytë të tribunave në arenën e përkohshme të patinazhit të shpejtësisë në qendrën ekspozuese “Rho Fiera”, në veri të Milanos, për të ndjekur 27- vjeçaren teksa fitonte medaljen e artë në garën e 1000 metrave për femra. Lerdam, e cila pasi ishte mposhtur ngushtë dhe kishte marrë argjendin në “Pekin 2022”, këtë herë në “Milano-Cortina 2026” fitoi arin me një kohë rekord olimpik.
Ky sukses shënon një përfundim perfekt të disa muajve tejet intensivë për Lerdam, e cila u detyrua të mbështetej në një ftesë speciale për Lojërat “Milano-Cortina”, pasi ishte rrëzuar gjatë kualifikimeve. Pas garës, Lerdam i kushtoi fitoren Polit dhe familjes së saj, duke theksuar mbështetjen që kishte marrë prej tyre, një mbështetje që, sipas saj, nuk kishte arritur gjithmonë t’ua kthente. “Jam përpjekur të jem mbështetëse, por nuk kam mundur të shkoj në ndeshjet e tij të kaluara për shkak të patinazhit. Do të ishte bukur të isha më shpesh pranë tij. Ai më ka mbështetur shumë dhe ka ardhur në shumë nga garat e mia, ndaj jam jashtëzakonisht mirënjohëse.
Po ashtu familja ime, jam pafundësisht mirënjohëse për sistemin e mbështetjes që kam rreth meje. Është e jashtëzakonshme”, deklaroi 27-vjeçarja. Përtej famës së Xhejk Pol dhe rrjeteve sociale, Lerdam është një yll më vete. Ajo tashmë është kampione olimpike në patinazh të shpejtësisë, duke shtuar medaljen e artë krahas dy titujve botërorë dhe tre titujve europianë në 1000 metra, si dhe medaljes së argjendtë nga Pekini.
“NDJESI SURREALE” Lerdam është shumë e ndjekur në rrjet, me mbi pesë milionë fansa në “Instagram” dhe miliona të tjerë në platforma të ndryshme.
Ajo zakonisht shmang mediat tradicionale dhe zgjedh të komunikojë përmes kanaleve të saj personale, duke anashkaluar vëmendjen dhe kritikat e mediave holandeze, të cilat e ndjekin nga afër këtë sport olimpik ku Holanda ka dominuar historikisht.
Profili i saj u zgjerua shumë përtej pistës së patinazhit në vitin 2023, kur nisi lidhjen me Polin, rrugëtimi i të cilit drejt famës e ka çuar nga “YouTube” drejt boksit profesionist. Vitin e kaluar, ai u përball me ish-kampionin e botës Entoni Xhoshua, me të cilin u mund me KO dhe përfundoi me nofull të thyer.
Çifti mban një lidhje në distancë, me Polin që jeton në SHBA, ndërsa dhe Lerdam stërvitet në Holandë.
Pol e ndoqi garën i rrethuar nga ekipi i kamerave që dokumenton pothuajse çdo aspekt të jetës së tij.
Por e hëna në Milano ishte dita e Juta Lerdam. Ajo tha se pesha e pritshmërive e shtyu drejt një fitoreje që e përshkroi si “surreale”. Ajo udhëhoqi një dyshe holandeze, duke lënë pas bashkatdhetaren Femke Kok dhe duke siguruar medaljet e para për Holandën në këto Lojëra. “Kjo ishte diçka që ende më mungonte, tani ndihem shumë e plotë, ndihem surreale” tha Lerdam.