Zarko kujton aksidentin e rëndë

Sporti

Zarko kujton aksidentin e rëndë

Më: 20 maj 2026 Në ora: 13:00
Johan Zarko

Johan Zarko tashmë është kthyer në Francë, pasi la spitalin e përgjithshëm të Katalonjës, ku mori trajtim pas aksidentit të rëndë gjatë Çmimit të Madh të Katalonjës në MotoGP.

Francezi ka dëmtime në ligamentet e gjurit të majtë dhe ka vizituar një specialist që ka trajtuar edhe futbollistë të njohur si Kilian Mbape.

Piloti i LCR Honda tregoi për gazetën “L’Equipe” detaje nga incidenti. “Ishte më shumë frikë sesa dëmtim”, u shpreh francezi. Veterani zbuloi se ishte ende “i tronditur” nga aksidenti i parë, ai i Aleks Markezit. “Këmbën e kisha bërë vjollcë”, rrëfeu Johani.

“Më vendosën akull mbi mavijosjen dhe dhimbja u qetësua disi. Pikërisht aty duhej të kisha vendosur të tërhiqesha nga pjesa tjetër e garës.

Mes pamjeve të rrëzimit të Aleksit dhe goditjes në këmbën time, nuk ndihesha mirë fare. Nuk isha më i përqendruar kur u rikthyem në start. Pendohem që mora pjesë në nisjen e dytë”, pranoi piloti.

Zarko tregoi edhe mënyrën se si e përjetoi aksidentin pas nisjes së dytë në Montmelo. “U gjenda i bllokuar pas Marinit dhe nuk arrita të frenoja në kohë për ta shmangur”, shpjegoi ai. Më pas, ai mbeti i ngecur te motori Dukati i Françesko Banjajas.

“U hodha bashkë me motorin e tij dhe këmba ime e majtë mbeti e bllokuar mes rrotës, sediljes dhe tubit të shkarkimit. Isha i ngecur në zhavorr, duke bërtitur nga dhimbja.

Këmba më digjte dhe të gjithë ata që afroheshin kishin frikë të më preknin nga frika se mos ma përkeqësonin dëmtimin. Pastaj e tërhoqa vetë këmbën dhe më në fund arritën të më ndihmonin”, kujtoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat