Lundrimi është prej sporteve më atraktive në botë. Ky sport ka vite që zë vend edhe në vendin tonë dhe është atraktiv për gjenerata të ndryshme pa dallim gjinie.
Kryetari i Federatës së Lundrimit të Kosovës, Ramadan Selimi, tha se po punojnë që ky sport të jetë në vendin e merituar.
“Dita e Lundrimit 2026 – një hap i rëndësishëm për zhvillimin e lundrimit në Kosovë
Aktiviteti promovues i organizuar sot nga Federata e Lundrimit e Kosovës në Liqenin e Batllavës u zhvillua me sukses të madh, duke dëshmuar se, pavarësisht faktit se federata është ende në proces riorganizimi, vullneti, përkushtimi dhe bashkëpunimi po japin rezultate konkrete.
Një nder i veçantë për ne ishte pjesëmarrja e një ekipi mjaft profesional nga Federata e Lundrimit e Maqedonisë së Veriut, të përbërë nga garues dhe trajnerë të nivelit të lartë. Falë përvojës së tyre, nxënësit, sportistët dhe të rinjtë e pranishëm patën mundësinë të njihen nga afër me këtë sport tërheqës dhe të mësojnë teknikat bazë të lundrimit me vela.
Gjatë ligjërimit dhe demonstrimeve praktike të Presidentit të Federatës së Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrësit tanë panë nga afër se si zhvillohet lundrimi profesional me vela, duke fituar njohuri të vlefshme për të ardhmen e këtij sporti në Kosovë.
Po ashtu, na nderoi me praninë e tij edhe një delegacion nga Shqipëria, i cili shprehu mbështetjen e plotë për punën që kemi nisur. Përfaqësuesit shqiptarë u zotuan se në ditët në vijim do të sjellin lajme të mira lidhur me mundësinë e sigurimit të një hapësire në Durrës, ku sportistët e Kosovës do të mund të stërviten së bashku me sportistët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi, si dhe Nënkryetari i KOK-ut, z. Milaim Kelmendi. Ata shprehën kënaqësinë e tyre për nivelin e demonstrimeve dhe përkushtimin e sportistëve tanë, duke vlerësuar potencialin që ka ky sport në Kosovë.
Kontribut të veçantë dhanë edhe sportistët e Federatës së Kajakut, të cilët realizuan demonstrime atraktive nën udhëheqjen e përfaqësuesit të tyre, z. Shkrepi.
Të kënaqur nga mbarëvajtja e aktivitetit u shprehën edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, të cilët, për fat të mirë, nuk patën nevojë për asnjë ndërhyrje, pasi të gjitha aktivitetet u zhvilluan në mënyrë profesionale dhe me standarde të larta sigurie.
Në përfundim u organizua një drekë pune me përfaqësuesit e tri vendeve, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet federatave tona dhe përgatitjet e përbashkëta drejt Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
U dakorduam që takimi i radhës të mbahet në Durrës, ku do të formalizojmë bashkëpunimin tonë përmes nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e lundrimit në rajon.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, trajnerët, sportistët, institucionet dhe miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për mbështetjen dhe besimin e treguar. Bashkë po ndërtojmë të ardhmen e lundrimit në Kosovë”, ka shkruar Selimi në profilin e tij në facebook.