Në 1-vjetorin e ribashkimit pas problemeve me gruan, Stine bën deklaratën e papritur

Bota e Yjeve

Në 1-vjetorin e ribashkimit pas problemeve me gruan, Stine bën deklaratën e papritur

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 16:18
Stine

Këngëtari i njohur, Ernest Duka (Stine) ishte i ftuar në “Live From Tirana”, intervistë që përkoi me 1-vjetorit e ribashkimit me partneren, Graciela.

Nga nostalgjia për radion, projektet e tij muzikore, bashkëpunimi i ri që do të sjellë para verës, Stine zbuloi edhe dëshirën për të pasur një familje të madhe, ndërkohë që është baba i vajzës së tyre, Estia.

Stine theksoi se pas ribashkimit, vajza është afruar edhe më shumë pranë tij dhe kjo gjë e bën akoma më të lumtur. I pyetur gjatë intervistës nëse është pro zgjerimit të familjes me fëmijë të tjerë, Stine nuk ngurroi ta pranonte këtë gjë, pasi ai vetë vjen nga një familje e madhe.

“Unë jam për një familje të madhe. Kam një vajzë që quhet Estia dhe e dua shumë sepse tani kemi relata shumë të mira, edhe pse në fillim ishte më shumë te mami. Unë nuk ia prish, edhe gjithmonë kur i bërtet ndonjëherë mami, vjen direkt tek unë, edhe ajo që më thotë: Lëre mos ma mëso kështu gocën…!. Gjithmonë jam për familje të madhe sepse jam rritur në familje të madhe. Ne vetë kemi qenë, domethënë jemi katër kalamaj, prapë kur shkonim në fshat te gjyshja të gjithë, teze, daja, xhaja, kishin nga 3-4 kalamaj 5-6 dhe kur bëheshim bashkë, bëheshim nja 60 kalamaj… Tani janë gjërat e Zotit, por avash-avash kam qejf ta zgjerojmë familjen”, tha ai.

Image

Gjithashtu, Stine paralajmëroi se do të sjellë së shpejti një bashkëpunim shumë interesant dhe të bukur, sa u përket detajeve ai thjesht tha se do të jetë mashkull dhe kënga do të vijë para verës.

STINE DHE GRACIELA, KËNGËTARËT QË SHPËTUAN FAMILJEN PAS NJË VITI NDARJE

Ndarja e tyre zgjati një vit. Ashtu siç ndodhi që kantautori Ernest Duka (Stine) e deklaroi ndarjen nga partnerja këngëtare Graciela në prag të Vitit të Ri 2018, po ashtu deklaroi ribashkimin në prag të Vitit të Ri 2019. Prindërit e një vajze, Estias, për një vit qëndruan të ndarë, për t’u rikthyer në sajë të këmbënguljes së Alida Dukës, motrës së Stines.

Për muaj me radhë, Graciela arriti të mbante miqësi të fortë me ish-kunatën, e cila gjatë kësaj periudhe bëri të pamundurën ta ribashkonte çiftin, të cilët sipas saj duhet ta rishikonin edhe një herë vendimin, pasi tashmë janë edhe prindër.

Madje, në një intervistë për “Panorama Plus”, kur u pyet se si u ndje kur në atmosferën e Vitit të Ri, vëllai i saj Stine dha lajmin se ishte ndarë nga partnerja me të cilën ka një vajzë, Alida u përgjigj: “Me Nestin kemi qenë që fëmijë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. E pavarësisht se jeta na ndau të zgjedhim drejtime të ndryshme për të jetuar, e kemi akoma atë lidhjen si atëherë. Normal që nuk na erdhi mirë, por gjithsesi, secili e di vetë se si do veprojë për jetën e tij. Tashmë jemi mbi 30 dhe nuk përzihemi për çështje private. Mund të them se këmbejmë mendime dhe kjo po, është shumë e rëndësishme. Për mua dashuria është fat, po në fund të fundit është gjithmonë njësoj. Nuk përfundojmë kurrë me atë që duam, pasi të tjerë duam e me të tjerë përfundojmë.”

Por e vërteta është që Graciela e ruajti miqësinë me kunatën edhe pas ndarjes, madje dy ish-kunatat shkëmbenin komente plot dashuri në rrjetet sociale. Burime pranë familjes Duka treguan se Alida ka bërë të pamundurën që ta rikthejë vëllain tek ish-i, duke e konsideruar si partneren e duhur të tij, për faktin se edhe ajo është pjesë e muzikës.

Image

Ata të tre tashmë janë kthyer në një skuadër që ndihmojnë njëri-tjetrin në muzikë. Flitej madje se Stine po e menaxhon fuqishëm Gracielën që ta fusë në tregun e muzikës, disa vite pasi ata punojnë bashkë për vijat melodike apo hedhjen e zërave në studion e tij. E për lidhjen e tyre, ndarjen dhe ribashkimin, ata folën në programin “Shiko kush luan”, kjo falë lojërave argëtuese që u zhvilluan në studio.

Loja me tabela i vuri Stinen dhe Gracielën përballë pyetjeve që zbuluan diçka më shumë për publikun. Vendimin për t’u ndarë dhe atë për t’u ribashkuar e morën të dy, pasi si Stine, ashtu edhe Graciela, ngritën tabelat kur këto pyetje u bënë. Graciela rezultoi të ishte më xheloze në lidhje, ndërsa po kjo e fundit është ajo që do më shumë vjehrrën.

Siç dihet, çifti janë prindër të një vajze të quajtur Estia, e cila sipas tyre i ngjason Stines në pamje. Babi Stine dëshiron që vajza e tij të bëhet çfarë të dojë kur të rritet, përfshirë këtu edhe këngëtaren. Të dy ranë dakord se e duan marrëzisht njëri-tjetrin, edhe pse zihen dhe e kanë tmerr kur i komentonin: “Po ju sikur u ndatë një herë?”

Kujtojmë që Stine dhe partnerja e tij Graciela i dhanë fund marrëdhënies së tyre disavjeçare, për t’u rikthyer në Shkurt të vitit të kaluar. Megjithëse postimet e këngëtarit të njohur dhe të partneres së tij kanë qenë mjaft të kufizuara, diçka për raportin e tyre e zbuloi pak kohë para deklarimit pikërisht Alida, motra e Stines, ndërsa ishte e ftuar në “Zonë e lirë”.

Ajo tha se Stine dhe Graciela nuk jetojnë bashkë, por janë shumë të lumtur që kanë një vajzë si Estia e bukur. Pas kësaj deklarate, Stine mori vetë guximin për të pranuar lajmin e shumëpërfolur. Me një foto të ish-partneres në “Instagram”-in e tij, këngëtari shkruante: “Edhe pse fundvit, gjej lartësinë shpirtërore për të falënderuar çdo moment të bukur dhe të vështirë të kaluar së bashku. Kam bindjen e plotë se do të funksionojmë më mirë pa njëri-tjetrin. E kemi pasur fatin dhe mundësinë me mijëra herë për të kaluar barrierat e jetës, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç ne i mendojmë. Kështu që, nuk mbetet tjetër veçse të të uroj çdo të mirë të mundshme tani e tutje!”

Asgjë nuk mbetej më për të thënë pas kësaj, ndërsa fansat e përgëzuan Stinen për këtë mënyrë që zgjodhi për ta deklaruar ndarjen. Dhe siç e pamë, ndarja nuk zgjati shumë, pasi ata iu rikthyen jetës në çift në vilën e tyre në periferi të Tiranës dhe duke shumë të lumtur e të sigurt derisa po bëjnë plane për të zgjeruar familjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat