Barbara Palvin reagon ndaj kritikave për rikthimin në pasarelë vetëm gjashtë javë pas lindjes

Bota e Yjeve

Barbara Palvin reagon ndaj kritikave për rikthimin në pasarelë vetëm gjashtë javë pas lindjes

Nga: A.M. Më: 2 nëntor 2026 Në ora: 09:59
Barbara Palvin

Modelja e njohur hungareze, Barbara Palvin, ka reaguar ndaj kritikave që mori pasi u shfaq në sfilatën e Victoria’s Secret, vetëm gjashtë javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.

33-vjeçarja, e cila në muajin shtator u bë nënë e një vajze, Sylvie, nga martesa me aktorin Dylan Sprouse, tha se përvoja pas lindjes është e ndryshme për secilën grua dhe se vendimi i saj për t'u rikthyer ka qenë personal.

Palvin u shfaq në pasarelë me të brendshme gjysmëtransparente, duke tërhequr vëmendjen e publikut jo vetëm për paraqitjen e saj, por edhe për faktin se ishte rikthyer në punë në një periudhë kaq të shkurtër pas lindjes, shkruan Daily Mail, transmeton "Bota sot".

Image
Barbara Palvin

Duke folur për E! News, gjatë pjesëmarrjes në festën e Halloween-it të organizuar nga familja Sprouse, modelja tregoi se reagimet ndaj rikthimit të saj ishin të ndara.

“Reagimet ishin 50 me 50. Disa njerëz u gëzuan që u riktheva, ndërsa të tjerë mendonin se ndoshta duhej të pushoja në shtëpi. Përvoja e secilës grua pas lindjes është e ndryshme dhe kjo është thjesht përvoja ime”, u shpreh ajo.

Modelja shtoi se reagimet e shumta e kishin bërë të ndihej e mbingarkuar emocionalisht, por theksoi se mbështetja e bashkëshortit dhe familjes e kishte ndihmuar të përballonte këtë periudhë.

“Jam me fat që kam mbështetjen e bashkëshortit dhe familjes sime. Ata më ndihmuan që të arrija deri aty”, tha Palvin.

Image
Barbara Palvin

Ajo kishte edhe një këshillë për nënat e reja, duke i inkurajuar të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë.

“Mos kini frikë të kërkoni ndihmë”, ishte mesazhi i saj.

Zbulon çfarë e ndihmoi të rikuperohej pas lindjes

Pas paraqitjes në sfilatën e famshme, Barbara Palvin kishte folur edhe për rikuperimin e shpejtë fizik, duke thënë se ndihej më e shëndetshme se kurrë.

Image
Barbara Palvin

Modelja ia atribuoi këtë pjesërisht ushqyerjes së kujdesshme gjatë shtatzënisë, aktivitetit të lehtë fizik dhe ushqyerjes me gji pas lindjes.

Ajo tregoi se gjatë shtatzënisë ishte përqendruar në ushqimin organik, me qëllim që të kujdesej sa më mirë për shëndetin e vajzës së saj.

“Për fat të mirë, trupi im u rikuperua shumë shpejt. Mendoj se kjo ndodhi edhe sepse nuk kam qenë kurrë më e shëndetshme. Gjatë shtatzënisë dëshiroja të sigurohesha që vajza ime të ishte mirë, prandaj konsumova vetëm ushqime organike”, kishte deklaruar ajo për Page Six.

Palvin shtoi se edhe pas lindjes kishte vazhduar të kujdesej për ushqimin, veçanërisht për shkak të ushqyerjes me gji.

Image
Barbara Palvin me familje

“E lashë trupin tim të rikuperohej natyrshëm dhe bëra disa ushtrime të lehta, por asgjë të tepruar”, tregoi modelja.

Ajo gjithashtu kishte theksuar se nuk e konsideronte rikthimin e saj diçka të jashtëzakonshme, duke kujtuar se pushimi i lehonisë zakonisht zgjat gjashtë deri në tetë javë.

Në sfilatë, Palvin u paraqit me një fustan të shkurtër rozë, gjysmëtransparent, të kombinuar me të brendshme në të njëjtën ngjyrë. Ajo veshi gjithashtu një korse të bardhë të zbukuruar me detaje dekorative, të shoqëruar me një bisht të gjatë dhe krahë të frymëzuar nga flokët e borës.

Në rreshtin e parë, për ta mbështetur, ishte edhe bashkëshorti i saj, Dylan Sprouse, i cili e duartrokiti gjatë paraqitjes në pasarelë. Ndërkohë, ai ishte kujdesur edhe për vajzën e tyre të vogël gjatë angazhimit të modeles.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat