Nga pasarela te parfumeria, Rina Lipa merr rolin e rëndësishëm në GCDS

Bota e Yjeve

Nga pasarela te parfumeria, Rina Lipa merr rolin e rëndësishëm në GCDS

Nga: A.M. Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 10:20
Rina Lipa

Rina Lipa, motra e këngëtares së njohur botërore Dua Lipa, është bërë protagonistja e fushatës së re të markës së modës GCDS, e cila shënon hyrjen e saj në botën e parfumerisë.

Modelja është përzgjedhur si imazh i parfumit të parë të markës, të pagëzuar me emrin “Morso”, një produkt që sjell në vëmendje një prej simboleve më karakteristike të identitetit të GCDS.

Emri “Morso” lidhet me konceptin e kafshimit dhe me një prej krijimeve më të veçanta të markës: këpucët me taka në formë të një goje të hapur, me dhëmbë të mprehtë. Ky dizajn, i prezantuar për herë të parë në vitin 2022, u shndërrua në një nga elementet më të dallueshme të estetikës ekstravagante dhe jokonvencionale të GCDS.

Image
Rina Lipa

 

Për këtë projekt të rëndësishëm, drejtori kreativ i markës, Giuliano Calza, ka zgjedhur Rina Lipën, me të cilën ka një histori bashkëpunimi. Ajo bëri debutimin e saj në pasarelë pikërisht me GCDS, në vitin 2022, kur u shfaq me një fustan rrjete me shkëlqim.

Në një intervistë për “La Repubblica”, Calza ka vlerësuar personalitetin dhe prezencën e modeles, duke theksuar se ajo arrin të ruajë karakterin e saj edhe kur ndryshon imazhin.

Image
Rina Lipa

“Më magjeps mënyra se si arrin të jetë njëkohësisht delikate dhe shumë e sigurt në vete”, ka thënë ai, duke shtuar se për parfumin “Morso” kërkonte jo vetëm një ambasadore, por edhe një person me të cilin mund ta ndante këtë moment të veçantë për markën.

Përzgjedhja e Rinës dëshmon edhe një herë se modelja po ndërton rrugën e saj në industrinë e modës, duke u shfaqur në projekte të rëndësishme ndërkombëtare, krahas famës që ka fituar edhe përmes lidhjes familjare me Dua Lipën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat