Bejtullai: Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do të na presin të dielën

Futboll

Bejtullai: Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do të na presin të dielën

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 19:01
Bejtullai: Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do të na presin të dielën

Kapiteni i Shkëndijes  me super gol me kokë hapi rrugën drejt triumfit të 10-të sezonal, ndërsa shprehet i kënaqur me formën e ekipit në ndeshjet e fundit. 

Shkëndija si lider me 4 pikë përparësi para ndjekësve pret dy ndeshjet e fundit të gjysmësezonit vjeshtor ku kërkon pikë maksimale edhe pse matematikisht edhe vetëm një pikë garanton vendin e parë dhe emërimin kampione e dimërit.

Nëse kësaj ja shtojmë faktin se kuqezinjtë gjithmonë kur kanë dimëruar në pozitën e parë (2010/2011, 2017/2018 dhe 2018/2019), në fund kanë fituar titullin kampion, atëherë duket qartë se skuadra hapëron në rrugë të duhur drejtë objektivit. Pikërisht për këtë arsye vlerë të madhe ka ecuria pozitive e skuadrës pikërisht në momentet deçizive të gjysmësezonit vjeshtor, kur ekipi menaxhoi tre fitore të njëpasnjëshme me gol diferencë 9:0 (Makedonija Gj.P. 5:0, Boreci 0:2 dhe Bellasica 2:0).

“Jemi shumë të kënaqur jo vetëm me serinë pozitive dhe tre fitoret e fundit, por edhe me mënyrën si kemi performuar në këto përballje. Skuadra duket se po gjenë formën e duhur pikërisht në periudhën më të rëndësishme të gjysmësezonit, pasi normale në këtë fazë janë oscilacionet që mund të vijnë nga lodhja, mungesat apo edhe presioni psiqik kur je në garë për kreun dhe ndiqesh në hap nga rivalët.

Fatmirësisht ne gjithë këto segmente i kemi menaxhuar si duhet dhe me meritë gjendemi aty ku jemi”, thotë Egzon Bejtullai. 

Kapiteni kuqezi të mërkurën hapi rrugën drejt fitores së 10-të sezonale kur realizoi një super gol me kokë për epërsi 1:0 ndaj Borecit, që më vonë Ibraimi të vendoste shifrat finale 2:0. Për mbrojtësin 26 vjeçarë ai ishte goli i parë në sezonin aktual dhe realizimi i parë pas kthimit në Shkëndijë nga Helsingborgs IF i Suedisë.

“Ndjenjë e bukur sërish të shënoj më këtë fanellë, por edhe më i lumtur që ai gol ndihmoi ekipin të merrte objektivin nga kjo ndeshje. Harkimi i Armendit (Alimit) vërtet ishte shumë ideal dhe fatmirësisht kam mundur të drejtoj topin në këndin e portës edhe pse kundërshtari kishte të vendosur lojtarë në shtyllë të parë. Në fund rëndësi kanë tre pikët dhe vazhdimi i serisë pozitive”, shton numri ‘4’ i Shkëndijës.

Skuadra kuqezi nuk njeh humbjen në sezonin e ri dhe me seri prej 10-të fitoreve dhe 6-të barazimeve të dielën shkojmë në Strumicë për përballjen me Akademia Pandevin.

“Për ne asnjë ndeshje nuk është e lehtë dhe jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do të na presin të dielën. Tani me rëndësi është të rikuperohemi shpejt dhe këto dy ditë t’i shfrytëzojmë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e radhës ku kërkojmë vazhdim të serisë pozitive”, përfundoi Bejtullai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat