Ramadani, Zaganjori e Shtraza rrëfejnë emocionet kuqezi

Futboll

Ramadani, Zaganjori e Shtraza rrëfejnë emocionet kuqezi

Më: 9 mars 2021 Në ora: 18:53
Ramadani, Zaganjori e Shtraza rrëfejnë emocionet kuqezi

Seleksionimi i ekipit Kombëtar të Shqipërisë U-17 ka mbledhur nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku të gjithë lojtarët e vitlindjes 2005-2006 që aspirojnë të luajnë me ekipet e moshave kuqezi. Në seancën e parë stërvitore të zhvilluar të hënën në Tropikal të Durrësit, tekniku Bulku kishte në dispozicion të gjithë lojtarët e ftuar për këtë seleksionim dhe për më shumë se 1 orë e gjysmë stafi teknik pati mundësinë të shikonte të gjithë parametrat e tyre fizike dhe taktike.

Nga lista me 26 lojtarë, vetëm 6 prej tyre vijnë nga klube të huaja, ndërsa pjesë tjetër aktivizohet jashtë. Elementët e përzgjedhur për këtë grumbullim janë ndjekur me kujdes më parë nga stafi teknik dhe specialistët e sektorit të ekipeve kombëtare në ekipet përfaqësuese rajonale si edhe në seleksionimet, që trajneri Bulku zhvilloi një javë më parë.

Disa prej tyre dhanë edhe impresionet e para nga ky seleksionim për Fshf.org, teksa u shprehën shumë të kënaqur për shansin që u është dhënë. Një nga emrat e rinj të ftuar është Ramadan Sulejmani, mbrojtësi 15-vjeçar i rritur te skuadra austriake LASK, i cili ndihet mirë në këtë “debutim” të tijin me ekipin Kombëtar U-17.

“Është hera e parë që vij në një seleksionim të ekipeve kombëtare shqiptare. Mund të them që ndihem shumë mirë, atmosfera në grup është pozitive dhe me stafin teknik po punojmë mirë. Sigurisht dëshira ime është të bëhem një lojtar edhe më i mirë dhe të luaj një ditë në Kombëtaren A”, – tha Sulejmani.

Ndërsa, Ersi Zaganjori, mesfushori që aktivizohet në radhët e Vllaznisë, është aktivizuar më parë edhe me grup-moshat kuqezi U-15, ndërsa si të gjithë moshatarët e tij që luajnë futboll synon që një ditë të arrijë majat.

“Unë kam qenë i grumbulluar edhe më parë me ekipin kombëtar U-15 të Shqipërisë dhe tani vij të kombëtarja U-17. Shpresoj që një ditë të luaj për Kombëtaren A, ashtu si çdo fëmijë tjetër që e ka ëndërr të luajë për Kombëtaren e madhe. Synimi im është që të punojmë fort për t’u bërë lojtar i rëndësishëm në të ardhmen”, – u shpreh Zaganjori.

Sulmuesi i Teutës, Arbri Shtraza, i ka idetë e qarta për të ardhmen, teksa shpjegon se ndjesitë e tij për këtë seleksionim janë mjaft pozitive.

“Ky është seleksionim im i parë me ekipin Kombëtar U-17. Me disa prej djemve jam njohur që te grup-mosha U-15, ndërsa një pjesë tjetër vijnë për herë të parë këtu. Atmosfare është shumë pozitive dhe ndihemi shumë mirë. Përshtypja e parë për stafin teknik është gjithashtu pozitive, na kanë bërë të ndihemi komod. Shpresoj që të arrijmë sa më shumë suksese e rezultate të mira. Objektivi im është që gjithmonë të shoh sa më lart e të arrij të luaj në Kombëtaren A. Duhet të punojmë shumë. Duhet punuar fort sepse niveli që duhet për të luajtur në Kombëtaren A duhet të jetë sa më i lartë”, – deklaroi Shtraza.

Gjatë këtij viti janë planifikuar disa seleksionime, në mënyrë që stafi teknik të ketë mundësi të ndjekë të gjithë lojtarët e talentuar që luajnë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Të mërkurën më datë 10 mars, në orën 11:00, kuqezinjtë do të zbresin në fushën e lojës për një ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e tyre të Teutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat