Roma rrezikon të hiqet nga lista e qyteteve pritëse të EURO 2020

Futboll

Roma rrezikon të hiqet nga lista e qyteteve pritëse të EURO 2020

Më: 12 prill 2021 Në ora: 15:00
Foto ilustrim

Tetë nga 12 qytetet pritëse të Kampionatit Europian kanë dhënë zyrtarisht garancinë për lejimin e tifozëve minimalisht në masën 25% të kapacitetit të stadiumeve përkatëse, ndërsa katër të tjera kanë afat deri më 19 prill që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Një nga qytetet pritëse që nuk ka dhënë garanci për hapjen e dyerve të stadiumit ‘Olimpico” është edhe Roma, pasi Federata Italiane nuk ka marrë ende miratimin zyrtar me shkrim nga autoritetet shëndetësore e shtetërore.

Pikërisht për këtë arsye, kryeqyteti i Italisë rrezikon të hiqet nga lista e qyteteve që do të presin ndeshjet e Kampionatit Europian, ndaj kreu i Federatës Italiane të Futbollit i është drejtuar me një letër kryeministrit Mario Draghi.

Gravina i shpjegon kryeministrit se është shumë e rëndësishme që të miratohet prezenca e tifozëve në masën 25% në ceremoninë hapëse dhe më pas në ndeshjet e tjera që janë programuar të luhen në “Olimpico”.

I vetëdijshëm për situatën që po kalon vendi nga pandemia Covid-19, Gravina i kërko ndihmë kryeministrit Draghi që të ndërhyjë te autoritetet shëndetësore për të lejuar praninë e publikut, si kusht i panegociueshëm i UEFA-s për të lënë Romën në listën e qyteteve pritëse të Europianit.

Shën Petersburgu, Budapesti, Bakuja, Amsterdami, Bukureshti, Kopenhageni, Gllasgou dhe Londra kanë dhënë miratimin zyrtar për hapjen e stadiumeve në masën 25% të kapacitetit, në të gjithë ndeshjet që do të presin në impiantet përkatëse.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat