Të martën mund të ndodh “tërmeti” i madh në FFK

Futboll

Të martën mund të ndodh “tërmeti” i madh në FFK

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 18:50
Agim Ademi dhe Eroll Salihu

E marta mund të rezultojë si një ditë tepër e rëndësishme për futbollin e Kosovës. Kjo pasi nesër do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në të cilën pritet të dihet nëse dy prijësit kryesorë, presidenti Agim Ademi dhe sekretari gjeneral, Eroll Salihu, do ta vazhdojnë bashkëpunimin ose do ta ndodh divorci në mes tyre.

Tashmë dihet se qe një kohë të gjatë ka pasur përçarje të mëdha në mes dy prijësve kryesorë të FFK-së. Ato ishin aq të mëdha, saqë në media, muaj më parë, ishte raportuar edhe për fërkime fizike në mes tyre.
Por, kriza ishte tejkaluar disi përmes një komunikate të përbashkët të nënshkruar nga Ademi e Salihu, të cilët e kishin mohuar përleshjen fizike, por i kishin konfirmuar mospajtimet dhe debatet e shpeshta të ashpra dhe me tone të larta në mes tyre.

Sidoqoftë, qetësia nuk ka ndodhur asnjëherë në mes dy ish bashkëpunëtorëve të presidentit legjendar, të ndjerit Fadil Vokrri. Deklarata e përbashkët publike e tyre nuk ka sjell asnjëherë paqe reale në mes të tyre.

Madje, përçarjet veç sa janë thelluar kohëve të fundit dhe në qarqet e futbollit thuhet se Ademi me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së e kanë përgatitur shkarkimin e Eroll Salihut nga pozita e sekretarit gjeneral të FFK-së. Krejt kjo ka ardhur pas përplasjeve të mëdha që janë përsëritur së fundmi në mes tyre.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së të martën do të mblidhet. Në një tryezë do të ulen bashkë Ademi e Salihu së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së ose për t’i ndarë rrugët ose për ta vazhduar bashkëpunimin. Por, me kushte. Kushtet e Salihut janë që presidenti të mos i përzihet në kompetencat e tij të sekretarit, kurse Ademi nuk dëshiron të ndryshojë qasjen e tij, i bindur se po bën punë të madhe e mjaft të mirë.

Nëse Salihu shkarkohet, atëherë futbolli mund të marr dimension tjetër. Kjo pasi Salihu nuk është që nuk ka simpati nëpër Lidhjet Rajonale të futbollit nëpër Kosovë. Kështu që puna nuk mund të kryhet thjeshtë me një kumtim shkarkimi nga detyra.

Po ashtu, media mëson se Salihu planifikon të nis procedura ligjore pasi ndihet i mbrojtur nga Ligji i Punës falë viteve të shumta të kaluara në postin e sekretarit të FFK-së, ku i ka kaluar më shumë se dhjetë vjet, dhe konsideron se ka kontratë e përhershme.

Por jo vetëm kaq. Ai ua ka bërë me dije drejtuesve të FFK-së se do të zbulojë në publik shumë ndodhi e shkelje e keqpërdorime që janë bërë aty prejse në krye të FFK-së ka ardhur Agim Ademi.

Salihu llogarit edhe në përkrahjen e UEFA-s, ku është anëtarë i rregullt i Komitetin Ligjor të UEFA- si. Kurse, në Kosovë është kryetar i Arbitrazhit Sportiv.

Ndërsa, jashtë FFK-së ka grupe të tjera nga “opozita” që mezi e presin një “shpërthim” brenda FFK-së për ta rrëzuar Agim Ademin dhe gjithë kryesinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat