Mbyllet me sukses kursi i trajnerit të përgatitjes atletike

Futboll

Mbyllet me sukses kursi i trajnerit të përgatitjes atletike

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 10:30
Mbyllet me sukses kursi i trajnerit të përgatitjes atletike

Federata Shqiptare e Futbollit ka përfunduar me sukses edicionin e pestë të kursit për trajnerin e përgatitjes atletike.

Ky kurs që startoi më datën 27 prill dhe që përfundoi më 28 maj  u zhvillua nën kujdesin e stafit të përgatitësve atletikë në Sektorin e Edukimit të FSHF, Luigi Febbrari, Luca Laurenti, Iris Selimi, por edhe ekspertë të tjerë të fushës nga Shqipëria dhe jashtë saj. Në këtë kurs u përfshinë 30 lektorë të huaj, ndër të cilët emra të njohur si Ferretto Ferretti, Francesco Perondi, Roberto Sassi, Gianluca Stesina, Carlo Cruz, etj.

Ditën e sotme, janë shpërndarë diplomat për pjesëmarrësit, të cilët ishin pjesë e këtij kursi që u zhvillua edhe përmes platformave online, për shkak të kushteve të imponuara nga pandemia Covid-19.  Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania” morën pjesë stafi i përgatitësve atletikë, me në krye Luigi Febbrarin, Drejtori Teknik i FSHF, Giancarlo Camolese, por edhe stafi i ekipit Kombëtar, trajneri Edoardo Reja, zv.trajnerët Sergio Porrini, Hamdi Salihi e Ervin Bulku.

Gjatë shpërndarjes së diplomave, trajneri Reja vlerësoi punën e mirë të bërë nga Federata e Futbollit në këtë drejtim, duke theksuar se përgatitësi atletik është një nga figurat më të rëndësishme për një ekip. Ai i uroi suksese të sapodiplomuarve në këtë fushë.

Gjithashtu, edhe përgatitësi atletik i Kombëtares, Luigi Febbrari u shpreh i kënaqur për mbështetjen e FSHF-së dhe hapësirat që ka krijuar për të zhvilluar kurse të tilla. Febbrari theksoi se edhe nga ana e pjesëmarrësve ka pasur mjaft interes, si dhe u uroi suksese në këtë fushë.

Kjo nuk ishte hera e parë që FSHF-ja organizon një kurs të tillë. Sipas rregullores së re të FSHF-së, klubet e Kategorisë Superiore e kanë të detyrueshme prezencën e një përgatitësi atletik në stafet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat