Grumbullimi i Kombëtares U-17, talentet e rinj: Kënaqësi që luajmë për Shqipërinë

Futboll

Grumbullimi i Kombëtares U-17, talentet e rinj: Kënaqësi që luajmë për Shqipërinë

Më: 9 mars 2022 Në ora: 23:21
Grumbullimi i Kombëtares U-17, talentet e rinj: Kënaqësi që luajmë për Shqipërinë

Kombëtarja shqiptare U-17 për djem ka nisur që prej këtij muaji përgatitjet për turneun “UEFA Development”, që do të zhvillohet në muajin prill në vendin tonë e ku Shqipëria do të përballet me Irlandën e Veriut, Perunë e Luksemburgun.

Skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku po zhvillon një grumbullim katër ditor me 23 lojtarë të përzgjedhur, që përbëjnë edhe pjesën kryesore të grupit që mund të përfaqësojë këtë grup-moshë në këtë kompeticion. Futbollistët e grumbulluar nuk janë vetëm pjesë e kampionatit shqiptar, por edhe atij të huaj, të cilët janë vëzhguar e përzgjedhur nga skautët e FSHF-së në botë.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar disa seanca stërvitore që prej ditës së hënë kur edhe janë grumbulluar, teksa pasditen e djeshme patën mundësi të zhvillonin edhe një ndeshje miqësore ndaj Tiranës U-17, ku Shqipëria triumfoi me shifrat 3-0.Fshf.org ka ndjekur nga afër seancat stërvitore të kuqezinjve të vegjël dhe ka intervistuar dy prej talenteve të ekipit Kombëtar, Ersi Bode dhe Dennis Kelmendi, të cilët aktivizohen në Hollandë e Angli.

Ersi Bode, i cili luan në vijën e sulmit është një nga futbollistët e talentuar që është pjesë e ekipit të Ado Den Haag në Hollandë, ku është transferuar në janarin e këtij viti. Për të, kjo nuk është hera e parë që vesh fanellën kuqezi, teksa edhe më parë ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të moshave. Bode falenderon stafin për ftesën, teksa thekson se skuadra po stërvitet shumë për të dhënë maksimumin në ndeshjet e muajit prill. “Unë quhem Ersi Bode, jam 16 vjeç.

Kam ardhur nga ekipi i Ado Den Haag në Hollandë, ku jam transferuar në janar, pasi mora një ftesë. Jam pjesë e ekipit Kombëtar që kur kam qenë i vogël. Jam shumë i gëzuar me çunat e ekipit në Hollandë sepse më kanë pritur shumë mirë. Falënderoj trajnerët e Kombëtares shqiptare që ma dhanë sërish këtë mundësi që të kthehem në Shqipëri tek ekipi kombëtar. Po stërvitemi shumë fort sepse kemi një turne me ekipe shumë të forta dhe uroj të jap maksimumin, unë dhe të gjithë.

 “Synimi im për të ardhmen?” Të luaj me ekipet më të mëdha në të gjithë botën dhe gjithashtu të jem pjesë e ekipit kombëtar siç është idhulli im Armando Broja – thotë Bode në prononcimin për fshf.org.

Për Dennis Kelmendin, kjo është hera e parë që është grumbulluar me Kombëtaren.

Talenti kuqezi që luan në radhët e ekipit të QPR në Angli nuk i fsheh emocionet që i është dhënë mundësia të jetë pjesë e ekipit, teksa shpreson që një ditë të luajë në radhët e Kombëtares A. “Jam Dennis Kelmendi, 15 vjeç dhe luaj për ekipin QPR.

Është hera ime e parë këtu dhe do të jap 100% tim. Ndihem shumë i emocionuar që kam veshur fanellën e Kombëtares dhe shpresoj të jap maksimumin. Ndihem shumë mirë me djemtë dhe stafin, më mbështesin dhe më ndihmojnë kur kam nevojë dhe sillen shumë mirë me mua. Shpresoj që një ditë do të luaj për Kombëtaren e madhe dhe do të përfaqësoj ngjyrat kuqezi” – thotë Kelmendi për fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat