Pas humbjes nga Polonia, Abazi: Jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë

Futboll

Pas humbjes nga Polonia, Abazi: Jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë

Më: 26 prill 2022 Në ora: 18:42
Pas humbjes nga Polonia, Abazi: Jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë

Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbyllur me tri humbje fazën “Elite Round” për kualifikimet e Kampionatit Evropian, që mbahet muajin e ardhshëm në Izrael, por ka pasur paraqitje të mirë.

Pas humbjeve nga Ukraina dhe Italia, djelmoshat e drejtuar nga Arsim Abazi kanë pësuar humbje me rezultat të ngushtë edhe nga Polonia, me shifrat 2:1. Dardanët U17 e nisën vrullshëm ndeshjen kundër Polonisë dhe pas sulmeve të pareshtura drejt portës polake, arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 30-të me golin e realizuar nga Elton Krasniqi. Polakët tentuan shumë herë gjatë kësaj pjese për të barazuar shifrat por pa sukses.

Në pjesën e dytë ishte një paraqitje krejt ndryshe e polakëve, të konsoliduar dhe më të përqendruar drejt portës së Gjokajt. Në minutën e 59-të polakët goditën shtyllën pingule të majtë të Gjokajt, derisa topin e dëbuar Smilgewvski e dërgoi në rrjetë dhe rezultati u barazua në 1:1. Në vazhdim futbollistët tanë u orvatën të shënojnë por nuk ia dolën, teksa në minutën e 86-të Gjokaj ndërhyri në mënyrë të palejueshme, ndërsa nga pika e bardhë Terlecki ishte i saktë për rezultatin 2:1, në të mirë të Polonisë.

“Mendoj se luajtëm mirë dhe djemtë u angazhuan mjaft. Krijuam disa raste dhe kemi mundur të fitojmë qysh në pjesën e parë sipas rasteve që patëm.

Por, polakët, nga dy raste arritën të shënojnë, madje njëherë nga pika e bardhë. Unë edhe njëherë i përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe karakterin  por ky është futbolli jo gjithmonë fiton skuadra më e mirë”, ka theksuar pas ndeshjes përzgjedhësi Arsim Abazi.

Polonia – Kosova 2:1  (0:1)
Stadiumi: Stadiumi i qytetit “Gino Manni” Colle di Val d’Elsa
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtarë: Rob Hennessy (IRL), Christopher Campbell (IRL), Andrea Zingarelli (ITA) dhe Manule Volpi (ITA)
Shënues: Trelecki (86′) e  Smilgewski (59′) – Elton Krasniqi (30′)
K.V: Smilgewski,, Tkacz të POL – E. Krasniqi, Sylaj, Gjokaj(KOS)
K.K. Sylaj (pas dy të verdhëve)
Polonia: Mikulko, Rychlik, Kurzydiowski, Tomoaszevski, Magusyewski, Lewicki, Smilgewski (Terlecki), Kalmena, Sranizewski, Takcz (Drachel), dhe Slawinski.
Kosova: Gjokaj, Shahini, Sylaj, Ahmeti(Bajraktari), Lokaj(Marku), Fazlija, Bashota (Gllogu), Krasniqi, Merlaku (Luma­), Jashari (Muji) dhe Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat