Ibrahimi: Jemi gati! Ja disa nga emrat që do jenë në Tiranë më 25 maj

Futboll

Ibrahimi: Jemi gati! Ja disa nga emrat që do jenë në Tiranë më 25 maj

Më: 19 maj 2022 Në ora: 12:27
Ibrahimi: Jemi gati! Ja disa nga emrat që do jenë në Tiranë më 25 maj

Kur kanë mbetur vetëm 7 ditë e pak orë nga finalja e parë dhe historike e UEFA Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, përgatitjet duket se janë drejt fundit, teksa po kontrollohen të gjitha punët e bëra deri më tani.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi” në Euronews Albania, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në FSHF, Erand Ibrahimi jep detaje mbi të gjithë finalen, duke nisur nga takimet me klubet, te mbërritja e zyrtarëve të UEFA-s në Tiranë, ku do të qëndrojnë ata, emra të njohur të futbollit që do të zbarkojnë në Tiranë për të ndjekur ndeshjen, siguria dhe menaxhimi i aktivitetit si dhe ceremoninë dhe ekspozimin e trofeut të kompeticionit në sheshin “Skënderbej”.

Si po shjojnë përgatitjet për finalen? – Ndeshja ka më pak se një javë, por përgatitjet kanë më shumë se një vit e gjysmë që kanë nisur, duke nisur me trajnime intensive me të gjithë aktorët që do të jenë të përfshirë në organizimin e këtij eventi.

Duke filluar me drejtuesit e policisë së shtetit, me forcat e rendit, pjesën që do menaxhojë mobilitetin dhe transportin e deri te pjesa organizative e ndeshjes.

Të gjitha përgatitjet kanë ardhur duke u intensifikuar, ndërsa tani që jemi pak ditë para finales, thjesht po bëjmë një kontroll nëse është çdo gjë në rregull. Tani jemi në pritje të ekipeve, tifozëve dhe ndeshjes. Presim një fluks prej 90 mijë njerëzish në Tiranë, mbase edhe 100 mijë. Do të jetë një dy ditësh shumë i ngarkuar dhe i populluar.

Takimet me klubet – Kemi organizuar takime edhe me dy delegacionet e ekipeve respektive në 13 maj. Ata erdhën për të parë çdo detaj që lidhet me organizimin e ndeshjes, ardhjen e ekipeve dhe elementët sportivë që përkojnë me ambientet e stadiumit. Nuk ka pasur ankesa, por shumë kërkesa dhe deri tani i kemi përmbushur në çdo detaj.

Menaxhimi i tifozerive – Kemi organizuar një seri trajnimesh me UEFA-n. Do jenë të angazhuar rreth 2500 forca policie që do jenë të vendosur në disa akse të ndryshme, që do të koordinohen me pjesën tjetër. Tifozeritë do të jenë larg njëri-tjetrit. Tifozeria e Romës do të jetë e vendosur tek Amfiteatri, te Parku i Liqenit, ndërsa tifozeria e Feyenoord do të qëndrojë te Pedonalja.

Biletat e ndeshjes – Biletat janë ezauruar brenda dy orëve dhe kjo tregon edhe interesin që ka pasur publiku për ta ndjekur nga afër këtë ndeshje. Edhe çmimet e biletave kanë qenë të pranueshme, pasi kanë nisur nga 25 euro në 125 euro.

Zyrtarët e UEFA-s dhe mbërritja e tyre në Tiranë – Presim personalitete nga UEFA, duke filluar nga Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin e me radhë, tek partnerët e sponsorët e UEFA-s, të cilët do akomodohen në hotel “Plaza” që është edhe selia qendrore e UEFA-s. Ndërsa stafi operacional i ndeshjes do të qëndrojë në një hotel tjetër. Ata pritet të vijnë në datën 23 dhe 24 dhe i gjithë kalimi i tyre do të bëhet nëpërmjet shërbimit VIP. Kemi arritur një dakordësi më Shërbimin e Protokollit të Shtetit për të bërë të mundur të gjithë grupeve që do të jenë të nivelit të lartë. Po ashtu, është konfirmuar edhe pjesa e të gjithë lehtësirave për të gjithë pjesën e ekipeve. Kemi gjetur asistencën e aeroportit dhe të institucioneve të tjera shtetërore për të lehtësuar ardhjen dhe largimin e tifozerive.

Ndryshimet në stadium – Stadiumet në vetvete që kur është ndërtuar ka marrë kategorinë 4. Mund të priste një finale të këtyre përmasave pa asnjë lloj problem, të këtij lloji. Por kjo finale kërkonte një lloj modifikimi, sa i përket veçanërisht medias. Janë bërë disa modifikime, sa i përket tribunës VIP, për t’i dhënë më shumë hapësirë medias. Janë bërë disa shkallë, që do t’i mbeten stadiumit. Dhe të gjitha kërkesat që kanë ardhur për të bërë modifikime që do t’i përshtateshin finales janë paguar nga UEFA. Deri tani, kosto e shpenzimeve varion nga 400 në 450 mijë euro, një shpenzim që do t’i mbetet stadiumit.

Siguria e ndeshjes dhe forcat e angazhuara për një aktivitet të tillë – I gjithë menaxhimi i ndeshjes nga fillimi deri në fund kryhet nga UEFA, por duke i vënë ne në dispozicion burimet njerëzore. Brenda stadiumit do të jenë rreth 650 steward-ë, të cilët janë shqiptarë dhe janë trajnuar në një seri trajnimesh për këtë nivel ndeshje. Është një ndeshje që është vlerësuar me nivelin e mesëm të rriskut, nuk është një ndeshje që krijon probleme. Megjithatë numri është i mjaftueshëm për të menaxhuar çdo lloj situate. Përveç kësaj, të pranishëm në këtë ndeshje do të jenë rreth 400 vullnetarë, të cilët do të jenë aty për të asistuar këdo që mund të ketë një problematikë apo që do të orientohet në stadium. Por edhe policia e shtetit që do të jetë jashtë stadiumit që do të krijojë infrastrukturën për të hyrë tifozët me të gjitha rregullat e parashikuara.

Emra të njohur të futbollit në Tiranë më 25 maj? – Emra të konfirmuar deri tani që do të vijnë në Tiranë për këtë finale janë ish-lojtari legjendar i Romës, Francesco Totti, një tjetër lojtar legjendar i Italisë, Di Biagio.

Bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës – Me Bashkinë e Tiranës kemi vijuar bashkëpunimin pa asnjë lloj frenimi dhe ka qenë një partneritet tri palësh, me institucionet shqiptare dhe UEFA-n. Bashkia ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësitë që i rridhnin nga organizimi i kësaj finaleje. Deri tani jemi në rregull, nuk kemi asnjë çështje që ka mbetur pezull, qoftë tek UEFA, qoftë te ne. Nga pikëpamja e marrëdhënieve institucionale, jemi dy institucione që bashkëpunojmë për të njëjtin qëllim, për organizimin e kësaj finaleje.

Trofeu i UEFA Conference League– Trofeun e kanë sjellë në Tiranë, në selinë qëndrore ku do pozicionohet UEFA. Do ekspozohet Kupa në datën 24 maj, në ora 10:45 në një ceremoni ku do të jetë edhe Fan Festival e ku do të ketë një sërë aktivitetesh. Trofeu do të vendoset në një skenë ku është caktuar që do të rrijë trofeu, ku pas ceremonisë, njerëzit mund të bëjnë foto dhe video. Kupa do të qëndrojë për disa orë dhe do të ruhet me forca sigurie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat