Espi shpëton Realin në fund, Mbappe dështon nga penalltia

Futboll

Espi shpëton Realin në fund, Mbappe dështon nga penalltia

Nga: K.G. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 23:03
Carlos Espí shënon golin e dytë të Real Madridit

Real Madridi i falet golit të futbollistit të ri Carlos Espi, duke triumfuar me përmbysje 2:1 ndaj Celta Vigos, në kuadër të javës së 16-të të kampionatit spanjoll.

Një fitore e vuajtur, por shumë e rëndësishme për madrilenët, të cilët arritën të siguronin tri pikët në minutat e fundit të takimit.

Celta Vigo kaloi në epërsi në minutën e 6-të. Williot Swedberg asistoi te Pablo Duran, i cili, i gjendur i vetëm përballë portës së zbrazët, nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë për 0:1.

Në minutën e 39-të, Kylian Mbappé humbi një mundësi të artë për të barazuar rezultatin, pasi nuk arriti ta konkretizonte penalltinë. Sulmuesi francez e dërgoi topin shumë lart mbi traversë.

Megjithatë, Reali arriti të rikthehej në lojë në minutën e 66-të. Mbappe dhuroi një pasim të gjatë drejt Jude Bellinghamit, i cili depërtoi drejt qendrës dhe me një goditje të fuqishme e dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës për 1:1.

Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt fundit me këtë rezultat, në minutën e 85-të, Carlos Espi shënoi golin e fitores.

Pas kësaj fitoreje, Real Madridi renditet në vendin e dytë me 33 pikë, aq sa ka edhe Barcelona kryesuese, e cila ka një ndeshje më pak. Ndërkohë, Celta Vigo gjendet në vendin e 13-të me 13 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat