Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Futboll

Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Më: 31 maj 2022 Në ora: 13:06
Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Mes emrave që kanë marrë pjesë në stërvitjen e djeshme, ka pasur disa ndryshime.

Elhan Kastrati është mungesa e kësaj dite, me portierin i cili po zgjidh disa çështje procedurale që lidhen me pasaportën.

Aktualisht kanë mbetur dy portierë, Berisha dhe Selmani, sepse Tafas që po stërvitet me Kombëtaren A, është përfshirë në listën e Alban Bushit për ekipin U-21.

Ndërkohë, Odise Roshi ka vazhduar të stërvitet veçmas nga skuadra për shkak të problemeve fizike që futbollisti ka shfaqur, por pritet që 31-vjeçari të jetë i gatshëm për sfidat me Izraelin dhe Estoninë.

Nga ana tjetër, sot është planifikuar që të zbarkojë në Durrës “Këpuca e Artë” në Bundesligën austriake, Xhakomo Vrioni.

Sulmuesi ka mbaruar angazhimet me ekipin e tij, Tiroli, dhe tashmë do të jetë nën urdhrat e Rejës.

Një sulmues tjetër që të gjithë e presin është edhe Armando Broja, që në konferencën për shtyp, kur trajneri italian publikoi listën, tha se 20-vjeçari ishte pozitiv me COVID, edhe pse në asnjë media në Angli nuk ka dalë një lajm i tillë.

FORMACIONI – Me disa lojtarë jashtë për shkak dëmtimesh, tekniku Edi Reja ka 6 ditë kohë për t’u përgatitur dhe për të nxjerrë një formacion që do të kërkojë rezultatin pozitiv që në nisje.

Në transfertën e Islandës, me mungesën e Strakoshës, Etrit Berisha është ai që do të mbrojë kuadratin.

Në mbrojtje pritet që rreshtimi të jetë i njëjtë si në ndeshjen me Spanjën, me Balliun nga e djathta, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti në qendër dhe Hysaj nga e majta.

Në mesfushë pritet që të vendoset treshja Gjasula, Asllani dhe Nedim Bajrami, ndërkohë përpara tyre me të avantazhuar janë Cikalleshi me Uzunin.

Gjithsesi, ditën e sotme Kombëtarja do të zhvillojë një ndeshje miqësore brenda grupit në stadiumin “Niko Dovana”, aty ku Reja do të qartësohet më shumë për titullarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat