Kalendar atipik për futbollit shqiptar

Futboll

Kalendar atipik për futbollit shqiptar

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 12:55
Kalendar atipik për futbollit shqiptar

Sezoni i ri 2022-2023 për kampionatin “Abissnet Superiore” do të nisë më datë 20 gusht, ndërkohë që pritet të jetë një edicion krejt ndryshe dhe premton emocione të mëdha për futbolldashësit.

Ndryshe nga sezonet e kaluara për shkak të finaleve të Botërorit “Katar 2022” dhe ngjeshjes së kalendarit të UEFA-s për ndeshjet eliminatore të Champions League dhe UEFA Conference League, Departamenti i Garave në FSHF propozoi që finalja e Superkupës të zhvillohet më datë 7 dhjetor 2022. Propozim që më pas u miratua nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, teksa në këtë finale do të përballen kampionia e Shqipërisë, KF Tirana dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë, FK Vllaznia.

Edhe në këtë edicion të “Abissnet Superiore” do të marrin pjesë 10 skuadra, ku në total çdo ekip do të zhvillojë 36 ndeshje përgjatë sezonit. Gjithashtu, është miratuar edhe data e fillimit të Kupës së Shqipërisë, që do të startojë më 15 shtator dhe do të përfundojë me finalen e madhe të 28 majit 2023.
Në ditët në vijim do të hidhet edhe shorti i kalendarit të sezonit të ri futbollistik, që do të përcaktojë edhe datat dhe përballjet mes skuadrave. Kampionati do ndërpritet më 14 nëntor për shkak të Botërorit “Katar 2022” për t’u rikthyer më 15 dhjetor e për t’u ndërprerë sërish më datë 28 dhjetor. Këtë herë pushimet dimërore do të zgjasin pak, teksa kampionati do të rinisë në datën 14 janar 2023 dhe deri në fund nuk do ketë ndërprerje të gjata, me përjashtim të datave kur luhen ndeshjet e Kombëtares, me javën e fundit që do të luhet më 24 maj 2023.

Sipas rregullores, skuadra që renditet e para në fund të sezonit kualifikohet për në eliminatoret e Champions League, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë shkojnë në eliminatoret e UEFA Conference League, ashtu si edhe fituesi i Kupës së Shqipërisë.

Dy skuadrat që renditen në vendin e 9-t- dhe të 10-të bien automatikisht në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, ndërsa skuadra e renditur në vendin e 8-të shkon në play-out, ku do të përballet me fituesin e play-off-it të Kategorisë së Parë. Ndeshja e play-out do të luhet në stadiumin e skuadrës së renditur në vendin e 8-të të kampionatit “Abissnet Superiore”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat