Inagurohet me ‘uniforma të reja’ një nga anekset e kompleksit ‘Roza Haxhiu’

Futboll

Inagurohet me ‘uniforma të reja’ një nga anekset e kompleksit ‘Roza Haxhiu’

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 12:37
Inagurohet me ‘uniforma të reja’ një nga anekset e kompleksit ‘Roza Haxhiu’

Premtimet tashmë po bëhen një e nga një realitet! Lushnja ka një tjetër fushë të re stërvitore, një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjes që po ndryshon tërësisht infrastrukturën e këtij qyteti dhe i jep mundësi të gjithë të rinjve të luajnë futboll.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, së bashku me anëtaren e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, deputetin e qarkut të Fierit, Taulant Balla e kryetaren e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa inaguruan një nga anekset e kompleksit ‘Roza Haxhiu’, teksa kjo është fusha e dytë e ndërtuar brenda pak muajsh, pas asaj të Plugut. Puna po vijon me ritme të shpejta edhe për fushën e stadiumit ‘Roza Haxhiu’ si dhe dy fushat e tjera stërvitore.

Me inagurimin e kësaj fushe, u shpërndanë edhe uniformat e para falas për fëmijët e qytetit të Lushnjes që luajnë futboll, e që përfitojnë kësisoj nga projekti madhor i Federatës Shqiptare të Futbollit “Uniforma ime”, teksa shpërndarja do të vijojë edhe këto ditë.

Në fjalën e tij të shkurtër, numri një i futbollit shqiptar tha se për të pasur ekipe garuese e cilësore duhet që të hidhen sytë nga futbollistët e vegjël, e për këtë arsye prioriteti kryesor i FSHF-së është futbolli i fëmijëve dhe i vajzave.

‘Jemi në Lushnje për të inaguruar këtë fushë të re dhe për të filluar shpërndarjen e uniformave për të gjithë fëmijët që luajnë futboll jo vetëm në Lushnje, por në të gjithë qarkun e Fierit. Të kesh ekipe garuese, ekipe kualitative, ekipe kombëtare duhet që të hedhim sytë te fëmijët dhe pikërisht për këtë futbolli për fëmijët dhe kryesisht për vajzat është prioritet i Federatës Shqiptare të Futbollit’ – tha Presidenti Armand Duka.

Ndërkaq, Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa falënderoi Presidentin Duka për këtë bashkëpunim të vyer që po ndryshon infrastrukturën sportive të qytetit. Gjithashtu, znj.Sefa e konsideroi mbështetje të madhe për futbollistët e Lushnjes, projektin ‘Uniforma ime’, që i bashkangjitet kështu zhvillimit të infrastrukturës së qytetit.

‘Gjej rastin sot të falënderoj Presidentin, i cili ftesës sime për të bashkëpunuar në mënyrë që ne t’i japim një infrastrukturë më të mirë sportistëve të Lushnjes, e mirëpriti dhe ne sot kemi provën që jemi në një nga fushat e përfunduara. Vazhdohet puna në stadium, po vazhdohet fusha e dytë e bashkëpunimit me Federatën, më pas do të kalojmë në fushën e tretë. Projekti ‘Uniforma ime’ që sot po e lançon edhe Presidenti është një mbështetje e madhe edhe për ne sepse veç infrastrukturës duhej edhe baza materiale në mënyrë që Akademia të kishte të gjithë elementët e nevojshëm’ – tha znj. Sefa.

Deputeti i qarkut të Fierit, Taulant Balla ishte gjithashtu i pranishëm në këtë aktivitet inagurimi e ku u shpërndanë edhe uniformat e para për fëmijët futbollistë të Lushnjes. Z.Balla e konsideroi madhor projektin ‘Uniforma ime’, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri e që mbulon me uniforma falas rreth 15 mijë fëmijë që luajnë futboll. Gjithashtu, ai tha se përveç dy fushave tashmë të ndërtuara, me ndihmën e FSHF-së, Lushnja do të ketë në total 5 fusha futbolli.

“E para ky është një projekt shumë i madh, sepse mbulon me uniforma 15 mijë fëmijë dhe të rinj që ushtrojnë futbollin në shumë klube apo akademi në të gjithë Shqipërinë. Dhe kjo është një shifër shumë domethënëse dhe një projekt që zhvillohet për herë të parë vetëm në Shqipëri. Jemi këtu në një prej projekteve pothuajse të finalizuara të Federatës Shqiptare të Futbollit, njëri prej anekseve të kompleksit sportiv “Roza Haxhiu”, që ka përfunduar. Sot jemi me dy fusha të tjera të reja, ajo e Plugut dhe kjo pranë stadiumit dhe sipas angazhimit të përbashkët por me pjesën më të madhe të Federatës Shqiptare të Futbollit ne do të kemi edhe dy fusha të tjera ndihmëse, që do ta çojë në 5 numrin total të fushave të futbollit” – tha z.Balla.

Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha i bëri një thirrje të gjithë qytetarëve të Lushnjes për të afruar sa më shumë fëmijët e tyre në futboll, të cilët do të kenë mundësinë të luajnë tashmë në një infrastrukturë sportive tepër moderne.

“I bëj thirrje të gjithë komunitetit lushnjar të afrojnë me futbollin sa më shumë fëmijë, të shijojnë këto fusha të reja, të shijojnë të gjitha investimet që po bën Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim padyshim edhe me Bashkinë Lushnje dhe u bëj thirrje të gjithë profesorëve, tashmë që keni një anëtar në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, për sa më shumë mbështetje e sidomos për ekipin e vajzave të qytetit, por edhe rrethinave” – tha në fjalën e saj anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat