Kukësi e nis me mungesa

Futboll

Kukësi e nis me mungesa

Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 12:46
Kukësi e nis me mungesa

Në Kukës shpresojnë ta kalojnë sa më shpejt momentin e vështirë që janë gjendur në këto 12 javë të para kampionat, ku edhe janë të parafundit. Edhe pse shumë larg pritshmërive, në Kukës e kanë treguar përgjatë këtij sezoni se janë një ekip që kanë potencial për të fituar.

Mjafton të kujtohen ato pesë ndeshje, tri në kampionat dhe dy në Kupë, pesë fitore radhazi pa asnjë gol të pësuar, duke dhënë iluzionin e kthesës së shumëpritur. Janë pikërisht këto takime që japin ende shpresë në kampin blu, me trajnerin Enkeleid Dobi që e ka vënë shpesh herë theksin tek ajo skuadër që arrinte të merrte rezultatin dhe që do të donte ta shihte sërish në fushë.

Megjithatë, fakti që skuadrës i mungon stabiliteti nga ndeshja në ndeshje, tregon për një ekip që nuk të ofron siguri, gjë që e dinë mjaft mirë në Kukës. Në klub aktualisht ekzistojnë dy rryma të ndryshme, një pjesë që kërkon të besojë te grupi aktual dhe një pjesë tjetër te ndryshimet që duhet të bëhen me hapjen e merkatos së janarit. Dhe, në një situatë të tillë, duke parë që në të shumtën e rasteve grupi nuk po funksionon në Kukës, zgjidhja në një situatë të tillë mbetet merkatoja.

Burime në klub pohojnë për “Panorama Sport” se sido që të jetë situata me rezultatet në janar, klubi do të bëjë patjetër merkato. Nuk bëhet fjalë vetëm për afrime, por edhe për largime, kryesisht për të huazuar ndonjë lojtar të huaj dhe të lehtësojë disi barrën e futbollistëve jo shqiptarë në ekip. Fakti që ky grup, edhe pse në individë ka cilësi, ka shumë oshila-cione në lojë, ka bërë që drejtuesit të mos kenë siguri për ecurinë deri në fund të kampionatit.

STËRVITJA – Skuadra ka zbritur dje në fushë pas një jave pushim, teksa trajneri Enkeleid Dobi nuk i ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët në kompleksin “Football Republic”. Bëhet fjalë për disa mungesa me leje nga ana e stafit, ndërsa deri nesër pritet që ekipi të kompletohet dhe përgatitjet të vijojnë normalisht. Nga ana e klubit nuk ka ende një ide fikse për të zhvilluar minifazën në ndonjë vend që ofron kushte të favorshme, prandaj dhe do të vijohet në kryeqytet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat