Egnatia ka rritur intensitetin e përgatitjeve me qëllimin për të qenë gati më 18 gusht, kur do të nisë rrugën e mbrojtjes së titullit me ndeshjen me Dinamon.
Rrogozhinasit do të tentojnë ta nisin me këmbë të mbarë, ndërsa trajneri Edlir Tetova synon ta ketë grupin të plotë kundër kryeqytetasve.
Disa futbollistë nuk janë në formën e tyre optimale, duke nisur nga sulmuesi Somaile Bakajoko, i cili është në luftë me kohën. Lojtari nga Bregu i Fildishtë është dëmtuar që prej 3 korrikut, në duelin e Champions-it kundër Borac Banja Lukës.
Ai ende nuk është gati për të marrë ngarkesën e duhur fizike. Ditët e fundit, edhe pse janë stërvitur rregullisht me ekipin, kanë pasur shqetësime fizike Arbin Zejnullai dhe Rezart Rama.
Të dy lojtarët gjithsesi pritet të jenë në dispozicion të ekipit kundërDinamos në “Elbasan Arena”. Pjesa tjetër e ekipit është stërvitur me ritëm dhe është gati për sfidën hapëse të sezonit.