Skënderbeu merr arratinë, Nasr është protagonisti i fitores në Fier

Futboll

Skënderbeu merr arratinë, Nasr është protagonisti i fitores në Fier

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 16:06
Pamje nga ndeshja

Skënderbeu vazhdon marshimin drejt elitës së futbollit shqiptar. Korçarët fitojnë 3:2 në Fier përballë Apolonisë vendase dhe shkëputen akoma më shumë të vetëm në krye të renditjes së Kategorisë së Parë.

Ka qenë e bukur, plot emocione dhe gola sfida që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport.

Fierakët kalojnë të parët në avantazh me Trifonin, që tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Por festa e vendasve nuk zgjat shumë, sepse korçarët përmbysin rezultatin brenda pak minutash.

Nasr shënon golin e barazimit, ndërsa Musa golin e dytë për miqtë. Apolonia nuk dorëzohet dhe barazon shifrat me Topin.

Mbyllet në barazim 2-2 pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë të lojës është sërish Nasr që shënon për korçarët dhe vulos fitoren e Skënderbeut. Rreshjet e dendura të shiut ndikuan në pjesën e dytë, duke mos lejuar skuadrat që të jepnin më të mirën e tyre në fushën e blertë.

Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në kuotën e 28 pikëve në klasifikim, 7 më shumë se Laçi i vendit të dytë, ndërsa Apolonia mbetet në kuotën e 13 pikëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat