Ndeshja e javës së 34-të në kampionatin francez mes Nantes dhe Toulouse u ndërpre në minutën e 22-të, kur rezultati ishte 0:0, pasi tifozët e Nantes hynë në fushë në stadiumin “La Beaujoire”.
Nantes tashmë kishte humbur gjasat për të mbijetuar në Ligue 1, ndërsa ndeshja nuk kishte rëndësi të madhe as për Toulouse-in, që ndodhej në mesin e tabelës.
Pas hyrjes në fushë të grupit të tifozëve “Brigade Loire”, gjyqtarja Stéphanie Frappart i dërgoi lojtarët e të dy skuadrave në zhveshtore.
Por situata u tensionua më tej kur trajneri i Nantesit, Vahid Halilhoxhiq, mbeti pranë fushës dhe u përfshi në një debat verbal me tifozët që po i afroheshin.
Ndërhynë rojet e sigurisë dhe e larguan trajnerin nga fusha, ndërsa mediat franceze raportojnë se Halilhoxhiq u përpoq t’i qetësonte tifozët, por situata doli jashtë kontrollit dhe ai u pa i prekur emocionalisht më pas.
Në stadium ishin rreth 20.000 spektatorë, ndërsa kapaciteti i plotë është 35.000. Pas disa minutash, tifozët u kthyen në vendet e tyre, ndërsa policia speciale u vendos pranë tribunës për të shmangur incidente të tjera.