Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur pas votimit për procesin zgjedhor në vend, por edhe për ndeshjen miqësore që Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte ndaj Andorrës.
Duke komentuar faktin se dita e zgjedhjeve përkon me zhvillimin e ndeshjes së Kosovës, Ademi tha se procesi zgjedhor pritet të ndikojë edhe në shikueshmërinë e takimit, teksa shprehu dëshirën që rezultatet preliminare të publikohen sa më herët.
Ademi: Procesi zgjedhor do të ketë ndikim tek shikueshmëria e ndeshjes Kosovë-Andorrë
“Po sigurisht që do të ketë ndikim, edhe uroj që t'i dimë rezultatet e përafërta ose preliminare në fillim, që ta kenë edhe kënaqësinë e vet që të festojmë, t'i festojmë të dyja gjërat, edhe atë, edhe ndeshjen sonte, edhe zgjedhjet”, tha Ademi.
I pari i FFK-së foli edhe për pritjet e tij nga Kombëtarja e Kosovës, duke vlerësuar se ndeshja me Andorrën do të shërbejë si një test i mirë për futbollistët e rinj që së fundmi janë ftuar nga përzgjedhësi Franco Foda.
Ademi: Gjithmonë pres rezultate të mira nga Kosova
“Po sigurisht, kjo është lojë kontrolluese. Kemi shumë futbollistë të rinj, të cilët ju e keni parë vetë që Foda i ka ftuar dhe janë pjesë e kombëtares tashmë. Të shohim se si do të bëhet ndërrimi i gjeneratave në të ardhmen me këta të rinj dhe besoj që po pres rezultat gjithmonë. Unë jam optimist dhe gjithmonë pres rezultate të mira”, u shpreh Ademi.