Yakin shpërthen me akuza ndaj referit pas eliminimit të Zvicrës

Futboll

Yakin shpërthen me akuza ndaj referit pas eliminimit të Zvicrës

Më: 12 korrik 2026 Në ora: 09:09
Yakin

Pasi Zvicra u eliminua nga Kupa e Botës 2026 pas humbjes ndaj Argjentinës, trajneri Murat Yakin nuk e fshehu zhgënjimin e tij dhe i kritikoi ashpër vendimet e referëve, duke u ndalur veçanërisht te përjashtimi i Breel Embolos.

Në konferencën për shtyp, trajneri zviceran e sulmoi hapur gjyqtarin portugez João Pinheiro, duke e konsideruar vendimin si momentin që ndryshoi rrjedhën e sfidës.

“Për atë karton nuk kishte asnjë arsye. Nuk e kuptoj fare. Ishte një situatë e padëmshme, pa rrezik. Gabimi i arbitrit na dëmtoi dhe e ndryshoi plotësisht planin tonë të lojës”, deklaroi Yakin.

Ai vazhdoi më tej: “Ai vendim ishte thjesht i pabesueshëm. Nuk jam aspak dakord. Kishte një kontakt të qartë dhe nuk e kuptoj se si referi dhe VAR-i arritën në atë përfundim.”

Trajneri zviceran theksoi se skuadra e tij ka çdo të drejtë të ndihet e penalizuar, megjithatë shmangu çdo insinuatë se Argjentina ishte favorizuar.

“Zvicra kishte çdo të drejtë të ndihej e dëmtuar. Argjentina është një skuadër fantastike, por ndeshje të këtij niveli nuk duhet të vendosen nga episode kaq të diskutueshme arbitrimi.”

Më pas ai shtoi: “Nuk do të thosha se Argjentina favorizohet. Ishte një ndeshje e hapur dhe e luftuar nga të dyja ekipet. Nuk fitoi futbolli, ne u ndëshkuam nga një gabim arbitrimi. Ishte momenti vendimtar i takimit. Mund të ankohemi, por duhet t’i bëj komplimente Argjentinës. Nuk dua të shtoj asgjë më shumë.”

Në fund, Yakin e analizoi edhe aspektin teknik të përballjes, duke i pranuar cilësinë e skuadrës së Lionel Scalonit.

“Duke i analizuar ndeshjet e fundit, kishim parë se Argjentina lë hapësira kur merr rreziqe. Ata luajnë siç u ka hije kampionëve.

Në fund, ai e uroi Argjentinën për vazhdimin e turneut.

“Cilado nga katër gjysmëfinalistet mund ta fitojë Kupën e Botës. Ia uroj gjithë fatin Lionel Messit dhe Kombëtares së Argjentinës.” 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat