Ardon Jashari ka folur për Granit Xhakën pas paraqitjes së tij me fanellën e Zvicrës, ku mesfushori i Milanit luajti në rolin që për një kohë të gjatë ka qenë i Xhakës.
Zvicra e mposhti 3:0 Maqedoninë e Veriut, ndërsa Jashari mori përgjegjësi në mesfushë në mungesë të Xhakës.
Megjithatë, 24-vjeçari ka bërë të qartë se nuk ka tentuar të zëvendësojë kapitenin e dikurshëm të Zvicrës, por vetëm të japë kontributin e tij për ekipin.
“Unë nuk jam përpjekur ta zëvendësoj Granitin, por të bëj atë që kam bërë gjithmonë”, ka deklaruar Jashari, duke folur për rolin e tij në përfaqësuese.
Jashari ka thënë gjithashtu se është krenar që krahasohet me Xhakën, por ka theksuar se të dy kanë histori dhe mënyra të ndryshme të lojës.
“Jam krenar që krahasohem me të. Por kemi histori të ndryshme dhe luajmë në mënyra të ndryshme”, ka deklaruar mesfushori.
Jashari po shihet si një prej futbollistëve që mund të marrë më shumë përgjegjësi në mesfushën e Zvicrës, veçanërisht në periudhën kur Xhaka nuk është pjesë e ekipit kombëtar.