Në Durrës, ekziston shansi për të hapur garën për titullin ose thellimin e hendekut. Teuta pret në “Niko Dovana” Elbasanin, ndeshje e cila do të luhet prej orës 18:30, për llogari të javës së 8-të të Superiores.
Një përplasje që vë përballë dy filozofi dhe situata plotësisht të kundërta. Teuta e Tetovës me “marshin” e pretendentit, ndërsa Elbasani me trajnerin e ri Glen Daja në tentativën për të ndryshuar “kurs”.
Është e vështirë të mendosh se në këtë pikë ku ka arritur, Edlir Tetova do të lëshojë “terren”, përkundrazi, durrsakët duan t’i kursejnë vetes një ndalesë të papërshtatshme.
Sa për verdheblutë, imponimi drejt fitores do të sillte ndryshim ekuilibrash në kët javë të kampionatit.
Një garë më e hapur dhe bilance që fusin në “valle” Egnatian me Tiranën si ndjekëset më të afërta.
Për Elbasanin është një betejë për t’u rikthyer më të fortë, teksa Teuta nuk do t’ia lëshojë askujt fronin. Ndaj edhe në Durrës do të kuptohet qartë se ku do të anojë medalja, tek verdikti i Teutës apo befasia e Elbasanit.