Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka publikuar vendimet për rastet e shqyrtuara pas ndeshjeve të xhiros së 12-të të Albi Mall Superligës dhe xhirove të ligave të tjera për edicionin 2026/2027.
Në mesin e rasteve më të rënda është ai i kryetrajnerit të KF Vjosa, Megzon Visoka, i cili është dënuar me dy ndeshje mosushtrim të detyrës dhe gjobë prej 300 eurosh.
Sipas raportit të gjyqtarit kryesor në ndeshjen Vjosa – Trepça, Visoka është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 83-të për fyerje dhe sharje ndaj gjyqtarit. Pas përjashtimit, ai dyshohet se ka hyrë në fushë me qëllim për ta sulmuar gjyqtarin, ndërsa pas ndeshjes ka vazhduar me ofendime edhe në parkingun e automjeteve.
Për të njëjtën ndeshje është dënuar edhe trajneri i portierëve të Vjosës, Egzon Ismaili, me dy ndeshje mosushtrim të detyrës dhe 200 euro gjobë. Ai është ndëshkuar me karton të kuq pasi kishte gjuajtur qëllimisht topin nga bankina në fushë, duke penguar një aksion premtues për gol, ndërsa pas ndeshjes kishte ofenduar gjyqtarin.
Dy ndeshje mosushtrim të detyrës janë shqiptuar edhe për zyrtarin e Vjosës, Shefki Dauti, për shkak të sharjeve dhe fyerjeve ndaj gjyqtarit kryesor.
Me nga dy ndeshje mosushtrim të detyrës janë dënuar edhe Adis Kamishi i Lepencit, Armend Kolgeci i Suharekës 23, Gëzim Jerliu i Ramiz Sadikut dhe Liridon Gashi i Besës së Artë.
Ndërkohë, lojtari i Besës së Artë, Bedri Berisha, është dënuar me dy ndeshje moslojë për ofendim të gjyqtarëve, ndërsa i njëjti dënim i është shqiptuar edhe Dion Bunjakut të Dardanës 10, për lojë me dorë.
Një vendim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me trajnerin e KF Peja, Ekrem Veseli, i cili është dënuar me tre muaj mosushtrim të detyrës zyrtare në të gjitha aktivitetet e organizuara nga FFK-ja. Ai kishte drejtuar skuadrën në ndeshjen ndaj Q.S. Prishtinës, ndonëse ishte nën dënimin prej dy ndeshjesh mosparaqitjeje.
Për këtë ndeshje, Komisioni ka kërkuar edhe deklaratë shtesë nga trajneri Fisnik Gashi, pasi kishte drejtuar ekipin pa figuruar në protokoll. Afati për dorëzimin e deklaratës është 6 nëntori, në orën 13:00.
Ndërkaq, delegati i kësaj ndeshjeje, Xhevat Dacaj, është dënuar me dy muaj mosushtrim të detyrës zyrtare për lëshimet gjatë ndeshjes dhe deklaratat në rrjetet sociale lidhur me sjelljen e gjyqtarit kryesor.
Me dy ndeshje mosushtrim të detyrës është dënuar edhe drejtori sportiv i Q.S. Prishtina, Driton Gerdovci, për reagimin ndaj gjyqtarit në minutën e 88-të të ndeshjes ndaj Pejës.
Në vendimet e tjera, dy ndeshje moslojë janë shqiptuar për Olti Sadriun e Ferizajt, për ofendim në ndeshjen ndaj Trepçës '89, si dhe për portieren e Istogut, Anila Metaj, e cila u ndëshkua me të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër jashtë zonës së 16-metërshit, duke i mohuar kundërshtares një mundësi të qartë shënimi.