Dita e nesërme do të jetë e gjitha dedikuar Kombëtares shqiptare, e cila do të zbresë në fushën e lojës për t’u përballur me Finlandën. Kjo sfidë është e pesta për kuqezinjtë, e cila do të luhet në “Air Albania”, në orën 20.45.
Kombëtarja niset me dy objektiva. Kreu që mbetet i padiskutueshëm dhe dëshira për revansh, pas asaj humbjeje në transfertë.
Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të provuar të marrë maksimumin e pikëve, edhe pse do të jetë e vështirë duke marrë në konsideratë edhe qasjen që do të ndjekë rivali për të njëjtat llogari.
GRUPI – Gjendja e skuadrës paraqitet e rregullt, ndërsa nuk kemi të bëjmë me probleme fizike. Të gjithë duken në formë, ndërsa alternativat në çdo repart kënaqin Maran. Nga porta e deri në sulm, trajneri italian ka një “arsenal” në dispozicion për të përzgjedhur dhe 11-shen që do të nxjerrë edhe përfitimin nga kjo përballje.
SUPERIORE NDIHMON – Numri i lojtarëve të ftuar nga kampionati shqiptar duket se ngroh disi klimën e këtij raporti reciprok. Prania e Ismailit në prapavijë, shtojmë këtu dhe Qefalinë në mesfushë, pa harruar Dajsinanin e gatshëm dhe Alijin me eksperiencën e kalitur prej vitesh, bëjnë që Kombëtarja të ketë pak aromë produkti vendas, diçka që po përmirësohet me Maran në stol.
PIKËT – Llogaritë mund të jenë të shumta, njëjtë si probabilitetet që e mbajnë Shqipërinë si “kokë” të grupit. Në fushë, do të jetë një qasje tjetër, më e vërtetë, më e saktë dhe më e kuptueshme.
Më e mira e mundshme është që në këto dy sfida, që nga Finlanda kur zbresim nesër e deri te Bjellorusia të dielën, të tregohet kujdes në menaxhimin e duhur të pikëve, sepse llogaritë në letër nuk marrin të njëjtën përgjigje kur loja nuk prodhon rezultat. Ndaj edhe skuadra synon të përqendrohet maksimalisht në fushë për të kryer me sukses detyrat e fundit.