Zhan Celar është ndër golashënuesit më të mirë të FC Baselit, me tetë gola të realizuar në kampionat.
Megjithatë, me fanellën e Kombëtares së Sllovenisë ende nuk e ka gjetur rrugën drejt rrjetës. A do ta thyejë thatësinë pikërisht kundër Zvicrës?
Për Zhan Celarin, ndeshja e së premtes kundër Zvicrës do të jetë e veçantë. Jo vetëm sepse sulmuesi i Sllovenisë luan në futbollin zviceran, por edhe për faktin se takimi do të zhvillohet në Maribor, aty ku nisi karrierën e tij futbollistike.
Në barazimin 3:3 ndaj Thunit, të dielën, 27-vjeçari dëshmoi edhe një herë rëndësinë e tij për FC Baselin. Celar realizoi dy gola dhe, me rrjetat e shtatë dhe të tetë të këtij sezoni në kampionat, ndihmoi skuadrën e tij të merrte një pikë në udhëtim.
Në pritje të golit të parë me kombëtaren
Përderisa te Baseli po tregohet mjaft efikas, me Kombëtaren e Sllovenisë Celar ende nuk ka arritur të shënojë. Pas 20 paraqitjeve, sulmuesi vazhdon të jetë në pritje të golit të parë ndërkombëtar.
“Kështu është futbolli, por e di se së shpejti do të vijë edhe ai moment. Duhet vetëm të besoj dhe të vazhdoj të punoj shumë», ka deklaruar Celar për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.
Mungesa e Seskoit, mundësi për Celarin
Në Ligën e Kombeve, Celar ka regjistruar tri paraqitje të shkurtra së fundmi. Njëra prej tyre ishte edhe në ndeshjen e parë kundër Zvicrës, kur në minutën e 90-të pati mundësinë të shënonte golin e barazimit, por nuk arriti ta mposhtte portierin Gregor Kobel.
Mundësitë për të marrë më shumë minuta në fushë janë shtuar për shkak të mungesës së sulmuesit kryesor, Benjamin Sesko, i cili vazhdon të jetë i lënduar.
23-vjeçari i Manchester Unitedit e ka zhvilluar ndeshjen e fundit me kombëtaren më shumë se një vit më parë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, kur Sllovenia dhe Zvicra barazuan pa gola në Lubjanë.
“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe shpresoj që së shpejti të rikthehet. Por e di se edhe pa të kemi shumë cilësi në ekip”, ka thënë Celar.
Rikthimi në vendin ku nisi karriera
Për Celarin, sfida e së premtes do të jetë edhe një rikthim në vendlindjen e tij futbollistike.
Ai është produkt i akademisë së NK Mariborit dhe në maj të vitit 2016, në moshën 17-vjeçare, debutoi për ekipin e parë.
Më pas u transferua në akademinë e AS Romës, por për skuadrën italiane pati vetëm një paraqitje në kampionatin elitar.
“Natyrisht, gjërat mund të kishin shkuar më mirë. Megjithatë, nuk do të doja ta humbisja atë përvojë. Edhe nga përvoja të tilla mund të mësosh shumë, si njeri ashtu edhe si futbollist”, ka deklaruar ai.
Nga Roma te Lugano, pastaj Baseli
Shpërthimin e vërtetë në karrierën e tij Celar e përjetoi te Lugano. Me skuadrën zvicerane realizoi 51 gola në 118 ndeshje.
Më pas, aventurat te Queens Park Rangers dhe Fortuna Düsseldorf nuk shkuan sipas pritshmërive. Këtë verë ai iu bashkua FC Baselit.
“Ishte një mundësi e mirë për t'u rikthyer, sidomos te një klub si Baseli, dhe për ta arritur sërish nivelin për të cilin e di se jam i aftë. E njoh kampionatin dhe ndihem mirë në Zvicër”, ka thënë sulmuesi.
Tani Celarin e pret një sfidë e veçantë kundër shtetit ku po e zhvillon karrierën e tij. Për Zvicrën, shpresa është që sulmuesi i Baselit të mos e gjejë golin e parë me fanellën e Sllovenisë pikërisht në këtë përballje..