Katër shqiptarë titullarë te Maqedonia e Veriut, Sllovenia fiton thellë

Futboll

Katër shqiptarë titullarë te Maqedonia e Veriut, Sllovenia fiton thellë

Nga: K.G. Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 23:23
Kapiteni Enis Bardhi në aksion gjatë ndeshjes ndaj Sllovenisë

Kapiteni Enis Bardhi, Agon Elezi, Visar Musliu dhe Ezgjan Alioski u paraqitën nga minuta e parë për Maqedoninë e Veriut në humbjen 0:3 ndaj Sllovenisë.

Agon Elezi u zëvendësua në minutën e 46-të, ndërsa kapiteni Enis Bardhi në minutën e 86-të.

Ndërkohë, Ezgjan Alioski u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 57-të. 

Tribuna të zbrazëta, rrjeta e paprekur e kundërshtarit dhe, më e rëndësishmja e njëkohësisht më e dhimbshmja, bilanci me zero pikë i Kombëtares së Maqedonisë në përfundim të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve, në Ligën B.

Sipas mediumit maqedonas “SporrtSport”, ky është epilogu i gjithë kësaj fushate, e cila përfundoi sonte me një mbyllje zhgënjyese, me humbjen e Maqedonisë nga Sllovenia me rezultat përfundimtar 0:3.

Një ndeshje në të cilën Maqedonia as nuk e meritoi dhe as nuk do të arrinte një rezultat më të mirë, edhe sikur të luhej edhe një pjesë e dytë shtesë. Sipas asaj që tregoi në fushë, këtë rezultat edhe e mori.

Një zero e madhe në fund, para tribunave të zbrazëta dhe të ftohta të stadiumit “Todor Proeski”, me shumë pikëpyetje mbi kombëtaren tonë. Çfarë po ndodh dhe çfarë duhet bërë?

Shturm shfrytëzon njërin nga rastet e pakta të Sllovenisë

Pas asaj që ndodhi në Dublin dhe 30 minutave relativisht të mira, pritej që Maqedonia të tregonte një reagim të ngjashëm edhe në Shkup, në fillim të përballjes së sontme me Slloveninë. Por kjo nuk ndodhi.

Kundërshtari ishte i përqendruar, i orientuar drejt kundërsulmeve dhe mjaft i rrezikshëm, ndryshe nga Maqedonia, e cila realisht në pjesën e parë nuk dinte se çfarë kërkonte në fushë.

Mladenovski ishte pranë një autogoli, pasi gjatë përpjekjes për ta larguar topin goditi shtyllën. Më pas, Vipotnik pati një rast serioz, por goditi drejt e në portierin Dimitrievski.

Në anën tjetër, përveç tentimit të Bardhit nga goditja e lirë, Maqedonia nuk krijoi asgjë tjetër.

Ndërkohë, një kundërsulm i shpejtë i mysafirëve e nxori Shturmin përballë portës së Maqedonisë dhe ky i fundit realizoi në mënyrë fantastike, duke e dërguar topin nën traversë (29’).

Deri në përfundim të pjesës së parë, Maqedonia ishte krejtësisht e humbur në fushë dhe lejoi Slloveninë të krijonte edhe një apo dy raste të tjera për gol. Megjithatë, pati fat që ato nuk u konkretizuan.

Në pushim, përzgjedhësi i Maqedonisë bëri tri zëvendësime, duke aktivizuar Dorievin, Maleskin dhe Omeragiqin.

Fillimisht, Doriev e testoi portierin Oblak me një goditje, por ky i fundit reagoi, ndonëse jo me shumë siguri.

Në tentimin e dytë, Doriev pati një rast të pastër përballë portierit, por Oblak dëshmoi edhe një herë se nuk është rastësisht ndër pesë portierët më të mirë në botë.

Në minutën e 60-të, kapiteni Enis Bardhi goditi nga skaji i zonës së rreptësisë, por Oblak ndërhyri edhe një herë me sukses.

Pikërisht në momentet kur Maqedonia kishte filluar të shfaqte njëfarë ideje për të sulmuar dhe për të shënuar, ndodhi krejt e kundërta.

Në minutën e 66-të, Vipotnik ekzekutoi një goditje nga këndi. Topi shkoi te shtylla e parë, ku u prek në një duel nga njëri prej futbollistëve të Sllovenisë, për të përfunduar më pas te shtylla e dytë, ku David Zec, i gjendur i vetëm para portës së zbrazët, e dërgoi në rrjetë për rezultatin 0:2.

Deri në fund, Sllovenia pati edhe një rast të pastër shënimi, kur autori i golit të parë, Shturm, doli i vetëm përballë Dimitrievskit nga një pozitë anësore, por goditi dobët dhe pa saktësi.

Në momentet e fundit të ndeshjes (90+1’), Sllovenia shënoi edhe golin e tretë përmes Shturmit, duke vulosur fitoren bindëse 3:0 në Shkup.

Zvicra e përfundoi garën në vendin e parë me 16 pikë në Grupin 1 të Ligës B të Kombeve, ndërsa Sllovenia u rendit e dyta me 11 pikë dhe Skocia e treta me 7 pikë. Maqedonia e Veriut e mbylli grupin në fund, me 0 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat