Gjykata e Istogut e dënon me 500 euro gjobë me kusht të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve

Kosova

Gjykata e Istogut e dënon me 500 euro gjobë me kusht të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve

Më: 13 prill 2021 Në ora: 13:01
Pamje nga seanca

Me 500 euro gjobë me kusht është dënuar i akuzuari për vjedhje të shërbimeve, Bilbil Buleshkaj, nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga gjykatësi Arben Mustafa, dënimin me gjobë nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Mustafaj gjithashtu bëri të ditur se Buleshkaj lirohet nga shpenzimet e procedurës, për faktin se i njëjti i takon kategorisë sociale, kurse e dëmtuara do të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Aktgjykimi në këtë rast u shpall pasi i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i bie në barrë.

“Nuk jam njeri që e shkeli ligjin. Jam i gatshëm që të dëmtuarës KEDS t’ia kompensoj dëmin e shkaktuar, por që momentalisht nuk kam mundësi, pasi që nuk jam duke punuar, përveç në rastet ku punoj punëtor krahu.”, ka thënë Buleshkaj.

Tutje Buleshkaj, ka thënë se shtyllat elektrike që i janë vënë afër shtëpisë po ia rrezikojnë jetën dhe se për rastin do të shkoj në inspektoratin policor dhe në prokurori, pasi siç tha ai, edhe është kërcënuar nga një zyrtar policor.

Ndërkaq, prokurorja Sadije Muriqi fillimisht e ka bërë përmirësimin e aktakuzës, pasi siç tha ajo gjatë përpilimit të aktakuzës janë lëshuar gabime teknike.

“Tani duhet të jetë më parë, në vazhdimësi e gjerë më 20 korrik 2020, i pandehuri në shtëpinë e tij në fshatin Drogolevc të Komunës së Istogut. Dhe cilësimi juridik, respektivisht krahas nenit 314 par. 1, duhet t’i shtohet edhe neni 77.”, ka thënë prokuroja Muriqi.

Kurse sa i përket pranimit të fajësisë nga i pandehuri, prokurorja Muriqi është pranuar me një veprim të tillë, duke shtuar se një pranim i tillë ka mbështetje në provat që gjendën në shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bilbil Buleshkaj akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Buleshkaj, në kohë të panjohur e në vazhdimësi deri më 15 janar 2020, në shtëpinë e tij në fshatin Drogolevc të Komunës së Istogut, përmes mënyrave tjera siguron shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit, duke shmangë pagesën për shërbime të tilla.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, në vendin e lartcekur, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar është kyçur direkt në rrjetin elektrik, duke anashkaluar njehsorin elektrik, me ç’rast energjia e shpenzuar përmes pajisjeve elektrike nuk regjistrohet,

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me veprimin e tij, KEDS-it i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 477.05 euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat