Dënohet me gjobë i akuzuari për sulm ndaj zyrtarit policor në Kamenicë

Kosova

Dënohet me gjobë i akuzuari për sulm ndaj zyrtarit policor në Kamenicë

Më: 21 prill 2021 Në ora: 11:41
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka dënuar 600 euro gjobë të akuzuarin për veprën penale në bashkëveprim “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, Mërgim Demolli.

Po ashtu, i akuzuari Demolli obligohet të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj është shpallur të mërkurën, nga gjykatësi Sadri Krasniqi, pasi i akuzuari e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit kryesor.

I akuzuari Demolli fillimisht është dënuar me tre muaj burgim efektiv, por që më pastaj me propozimin dhe pëlqimin e tij, ky dënim i është shndërruar në gjobë, ashtu që i akuzuari obligohet që të paguaj shumën prej 600 euro pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Krasniqi, brenda afatit ligjor mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ndërkaq, i dëmtuari Emin Gërbavci për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance, pasi që i akuzuari është pyetur nga gjykatësi Krasniqi nëse ka nevojë t’i lexohet edhe njëherë aktakuza, ai ka thënë se nuk ka nevojë dhe se e pranon fajësinë me të cilën ngarkohet.

Pas kësaj, janë dhënë fjalët përfundimtare të palëve, gjatë së cilës prokurorja Huma Jetishi ka thënë: “Meqenëse i pandehuri e ka pranuar fajësinë, në tërësi mbetem pranë aktakuzës dhe propozimeve që i përmban e njëjta. Kërkoj nga gjykata që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit me një dënim meritor, duke pasur parasysh rrethanat rënduese si dhe ato lehtësuese”.

Ndërkaq, i akuzuari Demolli në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se ka gabuar, duke i kërkuar falje të dëmtuarit dhe duke kërkuar nga gjykata që atij t’i shqiptojë një dënim më të butë.

“Po ashtu, kërkoj nga gjykata që nëse më shqipton një dënim me burgim, të më mundësoj që ky dënim me burgim të shndërrohet në dënim me të holla”, ka thënë i akuzuari.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Mërgim Demollit, me arsyetimin se ai më 5 dhjetor 2019, rreth orës 14:30, në Kamenicë, përball zjarrfikësve, në bashkëveprim me të miturën N. P. ka sulmuar zyrtarin policor Emin Gërbavci, derisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, përderisa zyrtarët policor Arif Pireva, Emin Gërbavci dhe Edonë Godanci, pas një njoftimi për një sulm fizik ndaj një femre, kishin reaguar në rast dhe me të mbërri në lokacionin e raportuar, vërejnë të pandehurit me skuqje në fytyrat e tyre dhe të miturën duke qarë, prandaj edhe u kërkojnë t’i shoqërojnë në Stacionin Policor për intervistim dhe përderisa zyrtari policor Arif Pireva shoqëron të akuzuarin Demolli për ta dërguar tek vetura, e pandehura – e mitur N. P. acarohet, fillon të bërtasë dhe papritmas e sulmon zyrtarin policor Emin Gërbavci me duar në kokë dhe shqelma nëpër trup, përkundër se i njëjti përpiqet ta largojë duke e shtyrë me duar, e pandehura e mitur e kap për rroba ku edhe i shqyen një pjesë të uniformës,

Bazuar në aktin akuzues, në ato momente vërsulet edhe i akuzuari Demolli në drejtim të tyre dhe me grushte e godet në kraharor zyrtarin policor Emin Gërbavci, prandaj për ti dal në ndihmë kolegut reagon zyrtari Arif Pireva dhe së bashku arrijnë ta vendosin situatën nën kontroll.

Me këtë, Mërgim Demolli akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëveprim “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 402 paragrafi 1 lidhur me nenin 31  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës-së të (KPRK).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat