Mungon njëri i akuzuar, dështon të mbahet seanca në rastin e Qemajl Mustafës dhe të tjerëve

Kosova

Mungon njëri i akuzuar, dështon të mbahet seanca në rastin e Qemajl Mustafës dhe të tjerëve

Më: 28 prill 2021 Në ora: 11:20
Pamje nga seanca

Të mërkurën, ka dështuar të vazhdoj gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 36 të akuzuarve tjerë, në lidhje me akuzat për korrupsion me tendera.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Skender Ymeri, i cili sipas mbrojtëses së saj, avokates Sabrije Abazi, nuk mund të ishte prezent për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, konstatoi shtyrjen e seancës në mungesë të kushteve ligjore, kurse ato të radhës i caktoi për 26, 27 dhe 28 maj 2021, nga ora 9:30. Kjo pasi gjykatësja bëri të ditur se janë anuluar edhe seancat e caktuara për 29 dhe 30 prill 2021.

Para shtyrjes së seancës, gjykatësja Kuka-Mekaj njoftoi se në këtë gjykim kishte marrëdhënie familjare me njërin nga mbrojtësit, avokaten Qendresa Muriqi-Mekaj, për çka kërkoi të di nëse ndonjë nga palët në procedurë kërkonte përjashtimin e saj.

Sipas gjykatëses, kjo rrethanë nuk ishte obligative për përjashtim e saj, mirëpo rrethanë fakultative.

Mirëpo, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre nuk patën vërejtje që gjykimin ta vazhdojë gjykatësja Kuka-Mekaj.

Në seancën e së mërkurës prezent në sallë të gjykimit ishte edhe prokurori special Agron Bajrami, kurse munguan përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Komuna e Gjilanit dhe dëshmitari Bardh Syla, i cili edhe pse i ftuar në mënyrë të rregullt, mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndryshe, për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe mbrojtësve, kjo seancë ishte paraparë të mbahej në Asamblenë Komunale në Komunën e Pejës, kurse seancat e radhës pritet të mbahen në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, për shkak të hapësirës.

Ky rast gjykohej nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Sylë Lokaj, mirëpo pas pensionimit të tij, gjykatëse e rastit është caktuar Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 27 zyrtarë tjerë komunal.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara.

Lidhur me këtë, dëmtim të buxhetit, përmes ekspertizës financiare, kanë konstatuar ekspertët e caktuar nga Gjykata e Themelore e Pejës, Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Gjithsej 18 tenderë janë përfshirë në ekspertizë financiare me urdhrin e gjykatës në fjalë, për të vlerësuar nëse dhënia e tyre ishte bërë në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe nëse ka pasur dëmtim të buxhetit të Komunës së Gjilanit.

Përkundër shumë kundërshtimeve nga prokurori special Agron Bajrami, që ekspertiza financiare të mos bëhet me arsyetimin se e njëjta nuk mund ta vlerësojë ligjshmërinë e aktivitetit të prokurimit në kurdisjen e tenderëve, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit të pandehurit Mustafa, avokatit Ismet Shufta.

Kështu, gjykatësi Lokaj kishte vendosur që në këtë çështje penale të bëhet një ekspertizë financiare e dosjeve të tenderëve, për të vërtetuar nëse në aktivitetin e prokurimit ishin zbatuar dispozitat e Ligjit për Prokurimit Publik.

Pas tre muajsh ekspertim, ekspertët financiar kanë konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në vetëm 3 prej 18 tenderëve, ku shuma e dëmit si pasojë e shkeljeve të ligjit sipas ekspertëve ishte 6,248.88 euro.

Kurse 15 tenderët tjerë, sipas ekspertëve, ishin bërë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik.

Mirëpo në 12 aktivitete të prokurimit, ekspertët kanë konstatuar rritje të çmimit të kontratës për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, në shumën prej 67,257.43 euro, e cila shumë u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës

Sipas ekspertizës financiare të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në tenderin me numër GI-651-09-146-521, Komisioni Vlerësues në përbërje prej Drita Bajrami, Agim Hoxha dhe Ramush Musliu, kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, duke mos përfillur çmimin më të lirë të ofruar dhe kishte rekomanduar të lidhet kontrata me operatorin ekonomik “Bejta Commerce”, edhe pse ky operator kishte ofruar 537.30 euro më shumë se operatorët tjerë.

Tenderi i dytë me numër GI-651-09-059-521 që ishte përfshirë në shkelje të Ligjit, ishte kur anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Ofertave me përbërje prej Qefsere Sadriu, Llaz Rashiti dhe Musa Nasufi. e kishin zbatuar vendimin e ish-kryetarit Mustafa, i cili ka rekomanduar që kontrata t’i jepej operatorit ekonomik “Bass Com”, edhe pse kjo kompani sipas ekspertëve kishte ofruar çmimin më të lartë për 2,252.40 euro më shumë se operatorët tjerë ekonomik.

Sipas ekspertëve, ish-kryetari Qemajl Mustafa kishte bërë shkelje ligjore kur kishte nxjerrë vendimin që të mos përzgjidhet operatori ekonomik me çmim me të ulët.

Dhe tenderi i tretë, që sipas ekspertëve ishte dhënë në shkelje të Ligjit të Prokurimit ishte tenderi me numër GI-651-10-063-521 sipas të cilit, anëtarët e Komisionit Vlerësues, Drita Bajrami, Qefsere Sadriu dhe Vehbi Geci, nuk kishin aplikuar zbritjen e ofruar në ofertë të operatorit ekonomik prej 3,459,18 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në këtë shumë.

“Dëmi i shkaktuar i buxhetit Komunal në Gjilan, në këto tri raste kap shumën prej 6,248.88 euro”, thuhet në ekspertizën e bërë nga ekspertët Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Në këtë ekspertizë është konstatuar edhe një dëmtim i buxhetit të Komunës së Gjilanit në shumën prej 67,257.43 euro në 12 aktivitet të prokurimit, për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, e cila shumë sipas ekspertëve u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës.

Një mënyrë të tillë të pagesës së Komisionit përmes operatorëve ekonomik me buxhet të Komunës ekspertët financiar e kanë cilësuar kundërligjore, duke e bërë përgjegjës ish-kryetarin Mustafa dhe asamblistët të cilat kishin miratuar një vendim të tillë për bërjen e pagesave.

“Ne ekspertët mendojmë se me rritjen e shumës së Kontratës për pagesën e komisioneve me mjete të Buxhetit Komunal, Komuna ka pasur dëme në dy aspekte: për shumën e shtuar në kontratë, ku mjetet janë derdhë në llogari të operatorit ekonomik sipas kontratës dhe komisionet për mbikëqyrje të punëve dhe për pranim teknik me këtë metodologji ishin jo të pavarura por nën ndikim e Operatorëve Ekonomik të cilëve u ishin dhënë mjetet për pagesë të këtyre komisioneve dhe të njëjtit s’kishin pavarësi të plotë për një mbikëqyrje reale dhe pranim real të punëve të kryera nga Operatori Ekonomik”, thuhet në ekspertizën financiare.

Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.

Kështu, Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Në këtë rast, PSRK ngarkon të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit konstaton se në bazë të shkresave të lëndës, në rastin konkret ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale në fjalë. Andaj gjykata e shkalles së parë obligohet të vazhdoj më tutje më procedim penal, të administroj provat, e pastaj ta marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhej në njoftimin për media të Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në nëntor të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë kishte theksuar se në rastin e Mustafës dhe të akuzuarve tjerë, s’ka elemente të veprës penale të krimit të organizuar.

Ndërsa, kishte pushuar procedurën penale ndaj të 10 të akuzuarve të cilët ngarkoheshin me veprën penale të keqpërdorimeve në ekonomi, dhe 19 të akuzuarve për keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale.

Prej 29 të akuzuarave se si grup kriminal kishin kryer veprën penale të korrupsionit lidhur me dhënien e tenderëve në Komunën e Gjilanit, sipas vendimit të gjykatës, vetëm 12 të akuzuar, do të ballafaqohen me akuzat e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe atë me kualifikim të ri të veprës penale.

Kjo pasi, Gjykata Themelore në Pejë, kishte refuzuar vetëm kërkesat e të pandehurve, Qemail Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Ramush Musliu, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Naser Sylejmani dhe Nazim Jashari, e për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ne shkelje te nenit 422 par.l dhe 2 pika 2.1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Ndërsa, kishte pushuar procedurën penale për shkak të arritjes së parashkrimit relativ të ndjekjes penale ndaj te pandehurve: Drita Kajtazi-Bajrami, Agim Hoxha, Qefsere Sadriu, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti dhe Fatmir Halili, lIaz Rashiti, Musa Nasufi, Ibrahim Foniqi, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Selvije Shefkiu- Mustafa, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi dhe per Merita Canaj-Shabani, që akuzohen për veprën penale keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar në shkelje të nenit 422 par.l dhe 2 pika 2..1 lidhur me nenin 31 te KPK-së .

Po ashtu, gjykata kishte bërë ndryshimin e kualifikimit juridik ndaj të akuzuarve, të cilit sipas këtij aktvendimi akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëveprim, e jo si grup i strukturuar kriminal, siç pretendon Prokuroria Speciale.

Sipas aktvendimit të gjykatësit Sylë Lokaj, të marr më 30 nëntor 2018, kualifikimi juridik i aktakuzës së Prokurorisë Speciale, se ish-kryetari i Gjilani, Qemajl Mustafa dhe të tjerët kishin kryer veprën penale si grup i strukturuar kriminal nuk qëndron, duke bërë ndryshimin e veprës penale prej krimit të organizuar në veprën penale të cilësuar si bashkëkryerje.

Sipas vlerësimit të kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e përmbushin kriterin minimal se ka ekzistuar grupi i strukturuar kriminal nga të pandehurit

“Gjykata vlerëson se aktakuza nuk përmban asnjë provë që do të mbështetej dyshimi i bazuar mirë se ka ekzistuar grupi i organizuar kriminal, asnjë provë që sugjeron se të pandehurit, kanë pas çfarëdo lloj të strukturës së formalizuar. Aktakuza si e tillë për krim të organizuar i mungon përshkrimi, ajo nuk ka dëshmi për të mbështetë dyshimin e bazuar se të paktën, njëri prej të pandehurve të ketë qenë pjesë e grupit kriminal të organizuar”, theksohej në vendim e gjykatësit Lokaj.

Prokuroria i akuzonte pronarët e bizneseve të cilët kishin aplikuar për tenderë të ndryshëm në Komunën e Gjilanit, se kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe Hatixhe Daku, se në procesin e fitimit të tenderëve dhe kishin pas kontakte me të akuzuarin Qemajl Mustafa dhe Hatixhe Dakun për të ndikuar në procedurat e prokurimit.

Mirëpo, sipas gjykatës së shkallës së parë, përshkrimi i gjendjes faktike nuk e arsyeton akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

“Gjykata vlerëson se aktakuza nuk përmban prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit në veprimet e tyre, t’i kenë tejkaluar kufinjtë e përcaktuar ose t’i kenë shkelur rëndë rregullat e aktivitetit të biznesit. Përderisa nuk ka prova që e vërtetojnë këto elemente të veprës penale, nuk mund të jetë bazë për një vepër penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Për më tepër, sipas shkallës së parë, sjelljet e pronarëve të bizneseve kundër ish-kryetarit të Gjilanit, Mustafa, nuk mund të trajtohet si vepër penale, por si lobim dhe aktivitet i bizneseve për të bindur autoritetet t’i mbështetin ato për arritjen e epërsive, e në rastin konkret, për fitimin e një kontrate në procedurë publike të prokurimit.

“Ky aktivitet nuk tejkalon kufinjtë e përcaktuar me ligj ose rregullat e aktivitetit të biznesit, nuk mund të jetë bazë për një vepër penale të keqpërdorimit të autorizimit në ekonomi”, theksohej në vendim.

Ndërsa, kundërshtimet ndaj provave te paraqitura nga avokatet mbrojtës të të pandehurve, për secilin veç e veç, janë refuzuar si të pabazuara dhe do të administrohen në shqyrtim kryesor.

Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit e tjerë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 21 nëntor 2017, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që i ngarkon kjo aktakuzë.

Ndryshe, më 2 gusht të vitit të kaluar, media kishte raportuar për këtë rast.

Gjykatësi Lokaj, me aktvendim e kishte hudhur si pjesërisht të parregullt aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për sa i përket pikave . I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII. Ndërkaq kishin mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.

Më 22 shtator 2017, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sipas të cilit, Mustafa dhe të tjerët kthehen në bankën e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndërsa, më 18 prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë, me aktvendim, e ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me të cilën ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarit e tjerë po ngarkohen me veprat penale “krim i organizuar”, “shpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” si dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Kurse, më 14 shtator 2018 Apeli e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila në prill të këtij viti, e kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazmi Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Ndryshe, procedura ka pushuar për të akuzuarit Heset Mahmuti, pasi i njëjti ka ndërruar jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat