​PSD: Murati s’mund të jetë një ministër i Kosovës së çliruar nga UÇK-ja

Kosova

​PSD: Murati s’mund të jetë një ministër i Kosovës së çliruar nga UÇK-ja

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:24
Dardan Molliqaj dhe Natyra Kuçi

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) kërkoi sot dorëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për shkak të deklarimeve të tij për veteranët e UÇK-së.

Kjo parti paralajmëroi protestë më 6 korrik në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” me kërkesën për shkarkimin e Muratit.

Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj theksoi se kanë parë disa deklarata për të sulmuar dhe denigruar përpjekjen e një populli për çlirimi.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, jo vetëm që nuk po reagon qysh duhet, por në një farë forme e ka ushqyer këtë sentimentin antiUÇK.

Molliqaj: Kërkojmë shkarkimin e Muratit

“Kemi vendosur që duhet të organizohet protestë, e cila ka për qëllim kërkesën ndaj qeverisë së Kosovës për shkarkimin e këtij ministri. Ajo çka kemi parë këto ditë, kemi parë disa deklarata të ministrit në detyrë të Financave, i cili e ka sulmuar, përbuzur, denigruar përpjekjen e një populli për çlirim. E keqja e kësaj vjen e shtohet, ku i njëjti ministër, kanë kaluar më tepër se 48 orë, nuk e ka marrë mundin as të shpjegohet. Pra, nuk po bëhet fjalë vetëm çka ka thënë, por ai as që po flet, sepse është e qartë se ajo çka ka thënë atëherë, është bindja e tij. Për këtë arsye ai ka zgjedhur të fshihet. E keqja e radhës që e bëri edhe më të papranueshme këtë situatë, është mbrojtja që i bëri kryeministri sot i Kosovës”, theksoi ai.

Ndërsa Natyra Kuqi nga ky subjekt jo parlamentar, tha se ministri Murati nuk mund të jetë ministër i Kosovës që është çliruar nga UÇK-ja.

Kuqi: Murati nuk mund të jetë një ministër i Kosovës së çliruar nga UÇK-ja

“Ministri Hekuran Murati nuk mund të jetë një ministër i Kosovës, e cila është çliruar nga UÇK”, tha Kuqi.

Ndaj ministrit Murati, sot ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare, PDK-ja, e cila ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti largimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat