Akreditimet/ ORCA godet ministren Nagavci dhe deputetin Gola

Kosova

Akreditimet/ ORCA godet ministren Nagavci dhe deputetin Gola

Më: 2 mars 2023 Në ora: 12:25
Pamje nga aksioni simbolik para Kuvendit të Kosovës

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka mbajtur një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës pas ndryshimeve që janë propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, në Ligjin për Agjencinë e Akreditimit, të cilat thotë se degjenerojnë ligjin në tërësi.

Gola, sipas kësaj organizate, ka bërë ndërhyrje në draftin origjinal të projektligjit duke ndryshuar nenet që lidhen me akreditimin krahas nivelit të studimeve, gradës shkencore dhe publikimeve shkencore që duhet t’i kenë bartësit e programeve në proces të akreditimit.

Sipas ORCA’s, propozimet e deputetit Gola për këtë ligj, janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë së Akreditimit rolin kryesor që ka “e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit, që burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR”.

“Rrjedhimisht, tentativa për fiksim të standardeve apo përcaktim të tyre nga politika është edhe pengim i avancimit të Agjencisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në ENQA dhe EQAR si dhe përpjekjeve për cilësi në Arsimin e Lartë në Kosovë”, thuhet në reagim.

Nga kjo organizatë kanë drejtuar akuza edhe në drejtim të Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, derisa kanë kërkuar që drafti që vendoset për votim para deputetëve të jetë ai për të cilin ka pasë konsensus shoqëror, të ekspertëve dhe zyrtarëve evropianë

“ORCA e kundërshton këtë lloj abuzimi me fuqinë dhe mospërfillje të gjithë punës së deritashme për draftin origjinal të projektligjit nga ana e kryetarit të Komisionit për Arsim. ORCA dyshon se kjo nuk do të mund të bëhej e mundur pa bashkëpunimin e Ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, cila si sponzorizuese e ligjit ka të drejtë të mos lejojë deviacione të tilla që e deformojnë kualitetin e ligjit e si rrjedhojë  cilësinë në arsimin e lartë.

ORCA kërkon që drafti që vendoset për votim para deputetëve të jetë ai për të cilin ka pasë konsensus shoqëror, të ekspertëve dhe zyrtarëve evropianë që është krijuar në procesin e deritashëm të hartimit të draftit original”, thuhet në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat