​Personat LGBTI+ kërkojnë të drejta të barabarta: Në Kuvend çfarë s’thanë për ne

Kosova

​Personat LGBTI+ kërkojnë të drejta të barabarta: Në Kuvend çfarë s’thanë për ne

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Personat LGBTQI+ kanë kërkuar të drejta të barabarta sikurse të gjithë qytetarët e tjerë në Kosovë, duke përmendur edhe kalimin e Kodit Civil në Parlament. Këto kërkesa u artikuluan në ceremoninë e hapjes zyrtare të Javës së Krenarisë që u mbajt në ndërtesën qeveritare.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se kjo kohë është periudha më e mirë për të adresuar të gjitha sfidat që ballafaqohen personat LGBTQI+.

Osmani: Personat LGBTQI+ ende shënjestër e dhunës

“Përgjatë viteve Kosova ka bërë përparime në avancimin e të drejtave të personave LGBTQI+, këto përparime në fakt janë të rrënjosura në kushtetutën tonë ndër të vetmet në botë që përqafon diversitetin si forcë jo vetëm të shoqërisë por edhe të vet shtetit, ku gjithsecili ka hapësirë që të gëzojë të drejta të barabarta, të zhveshur nga frika dhe diskriminimi. Gjithsesi, në këtë rrugë drejt barazimit të plotë kemi ende shumë e shumë për të bërë. Personat LGBTQI+ janë pa diskutim ende shënjestër e dhunës, diskriminimi e stigmatizimi të cilat vazhdojnë të mbesin pengesë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët ndërtimin e një shoqërie më të barabartë e më të drejtë për të gjithë”, deklaroi Osmani.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dashuria ka qenë forcë fuqizuese dhe bashkuese edhe në ngjarje më të rëndësishëm të popullit të Kosovës, duke shtuar se në zemrën e popullit është respekti për të gjithë individët pa dallim përkatësie seksuale.

Kurti: Në zemrën e popullit tonë gjendet besimi se të gjithë meritojnë respekt

“Unë ju përgëzoj që Java e Krenarisë është e përqendruar te dashuria. Mendoj që më shumë se kaq dhe më mirë se kaq nuk ka qenë e mundur. Duke u thirrur në frymën e ngazëllimit, duhet të kuptojmë me modesti se në zemrën e popullit tonë të dashur gjendet besimi ynë se gjithë individët meritojnë respekt dhe të drejta të plota të njeriut, pavarësisht nga raca, feja, etnia, identifikimi gjinor apo orientimi seksual. Për të ruajtur ato liritë që i çmojmë, duhet të vendosim një themel të bazuar fort në etikën e dashurisë dhe dhembshurisë në mënyrë që tragjeditë e së kaluarës të mos bëhen motiv i përsëritur në kronikat e historisë sonë”, tha Kurti.

Më i ashpër e i drejtpërdrejt në fjalën e tij ishte drejtori ekzekutiv i Qendrës për Liri dhe Barazi, Blert Morina, që tha se shteti duhet të punojë më shumë për të siguruar të drejta për të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.

Duke kujtuar debatin për Kodin Civil, i cili nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, Morina deklaroi se janë fyer nga deputetë që e kundërshtojnë kodin.

Morina: Çfarë s’u tha për ne në Kuvend

“Na thanë e çka s'na thanë se ne shkatërrojmë familjet, se ne jemi kundër traditave, se ne jemi të sëmurë, se ne jemi kërcënim për moralin e shëndetin publik, se ne nuk mund të rrisim fëmijë, ose nëse rrisim fëmijë, do rrisim fëmijë që nuk bëjnë. Po të mos ishte tragjike absurditeti dhe niveli i smirës dhe urrejtjes që u shfaqen në Parlament, do të ishin qesharake, ndoshta një ditë edhe do të qeshim që mundësinë tonë për të dashur e shohin si kërcënim të shëndetit publik, ama sot nuk po na qeshet”, tha Morina.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeff Hovenier, i cili mori pjesë në cermeoni, deklaroi se inkurajojnë Kosovën që të vazhdojë përpjekjet për të siguruar mbrojtje ligjore, mbrojtje shoqërore për të gjitha grupet e nënpërfaqësuara, përfshirë komunitetin LGBTQI+.

Hovenier: Jemi të impresionuar me komunitetin LGBTQI+

“Ne jemi thellësisht të impresionuar nga qëndrueshmëria e komunitetit LGBTQI+ këtu në Kosovë, të cilët vazhdojnë të luftojnë për të jetuar jetën e tyre autentike, për të jetuar gjithashtu në liri, të cilët përballen me diskriminimin, margjinalizimin dhe sigurinë, e megjithatë vazhdojnë ditë pas dite të ngrihen me guxim për këtë të vërtetë, sepse të drejtat e komunitetit LGBTQI+ janë të drejta të njeriut”, tha Hovenier.

Java e Krenarisë në Kosovë do të shënohet me aktivitete të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat