Vazhdon të sfidohet procesi i ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur

Kosova

Vazhdon të sfidohet procesi i ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara ka dhënë detaje për rrjedhën e gërmimeve.

Ai njofton se gjatë këtyre ditëve kanë vazhduar gërmimet dhe aktivitetet në terren me një dinamikë të re, raporton Indeksonline.

“Terrene të vështira, lokacione të papërshtatshme, e informata jo edhe aq të qëndrueshme (sakta) vazhdojnë të sfidojnë procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. Forcat serbe (policore e ushtarake) me metoda jo gjithnjë të njëjta por me qëllimin e njëjtë, krahas rrëmbimit e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë dhe rrëmbimit edhe të kufomave te të vrarëve kishin për qëllim edhe zhdukjen e gjurmëve të krimit, si pjesë e strategjisë e mendësisë së tyre kriminale”, thekson Gara.

Shkrimi i plotë:

𝑵𝒋𝒐𝒇𝒕𝒊𝒎 𝒎𝒃𝒊 𝒓𝒓𝒋𝒆𝒅𝒉𝒆̈𝒏 𝒆 𝒈𝒆̈𝒓𝒎𝒊𝒎𝒆𝒗𝒆

Pas gërmimeve, ditë më parë, në lagjen Mat/Matiqan, të Prishtinës, siç ishte planifikuar, gjatë këtyre ditëve kanë vazhduar gërmimet dhe aktivitetet në terren me një dinamikë të re.

Të Premten (javën e kaluar) u rikthyem në një lokacion afër Podujevës që trajtohet si ‘rast për konfirmim identiteti’ ndërsa gjatë këtyre ditëve ishim në fshatrat e Kamenicës në përpjekje të gjetjes/zhvarrosjes të mbetjeve mortore (eshtrave) të një viktime të luftës që vazhdon të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.

Gërmimet në regjionin e Podujevës kishin rifilluar të Premten në mëngjes,  mirëpo për shkak të reshjeve intensive të shiut  u ndërprenë për të vazhduar në të njëjtën ditë në lokacionin në regjionin e Kamenicës, deri në orët e mbrëmjes. Gërmimet në këtë lokacion kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave.

Terrene të vështira, lokacione të papërshtatshme, e informata jo edhe aq të qëndrueshme (sakta) vazhdojnë të sfidojnë procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. Forcat serbe (policore e ushtarake) me metoda jo gjithnjë të njëjta por me qëllimin e njëjtë, krahas rrëmbimit e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë dhe rrëmbimit edhe të kufomave te të vrarëve kishin për qëllim edhe zhdukjen e gjurmëve të krimit , si pjesë e strategjisë e mendësisë së tyre kriminale.

Pavarësisht rezultatit të gërmimit në lokacionet e lartpërmendura është për t’u vlerësuar qasja profesionale e ekipeve të institucioneve të shtetit tonë. Ekspertët mjekoligjorë , hetues policorë , zyrtarë e shërbyes civilë, si dhe profesionistë mbështetës ndërkombëtarë,  si një ekip i vetëm të cilët po orvaten t’ua lehtësojnë familjeve barrën e pritjes, duke gjetur vendvarreza të reja, duke i zhvarrosur dhe identifikuar mbetjet mortore përmes edhe metodës shkencore ADN-së, për t’i ribashkuar familjet që vdekja i kishte ndarë.

Në të tri lokacionet,  nuk përjashtohet mundësia të kthehemi sërish, gjatë javëve në vijim, krahas lokacioneve tjera që tanimë janë në agjendë për t’u adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë shembull në rajon e më gjerë për mënyrën e trajtimit dhe adresimit të çdo informate që do të kontribuojë në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë. Në lehtësimin e dhimbjes së familjeve që dhanë aq shumë për lirinë e vendit dhe përmbylljen e kapitullit të viteve tragjike të pritjes.

Janë më shumë se 2700 lokacione në mbarë territorin e Republikës së Kosovës (po thuajse cdo 4kilometra katror, një lokacion i trajtuar).

Sfiduese dhe shqetësuese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë. Nga Maji 2021, në Serbi, nuk ka asnjë lokacion të adresuar , asnjë datë të caktuar për fillim të gërmimeve në lokacionet e reja apo edhe vazhdim të gërmimeve në lokacionet e papërfunduara.

Megjithatë, ne nuk do të ndalemi asnjëherë në përpjekjen e luftën tonë për të vërtetën dhe drejtësinë.

Për të nderuar tragjeditë e aq shumë familjeve e në përpjekje për të respektuar një të drejtë elementare të tyre, sic është e drejta për të ditur.

𝑃𝑒̈𝑟𝑚𝑏𝑙𝑒𝑑ℎ𝑗𝑒 𝑛𝑔𝑎 𝑈𝑑ℎ𝑒̈ℎ𝑒𝑞𝑒̈𝑠𝑖 𝑖 𝑁𝑗𝑒̈𝑠𝑖𝑠𝑒̈ 𝑠𝑒̈ 𝐾𝑄𝑃𝑍𝐻-𝑠𝑒̈,

𝐾𝑢𝑠ℎ𝑡𝑟𝑖𝑚 𝐺𝑎𝑟𝑎

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat