Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare zgjodhi Bordin dhe Kryetaren e re në Kuvendin e 12-të

Kosova

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare zgjodhi Bordin dhe Kryetaren e re në Kuvendin e 12-të

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 13:47
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV/OEGJK) ka zgjedhur bordin dhe kryetaren e re në Kuvendin e saj të 12-të të anëtarëve, ku morën pjesë afro 100 delegatë. Zgjedhjet shënojnë një epokë të re për odën, e cila ka qenë e rëndësishme në promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.

Bordi i OEGJK-së me përbërje të re është: Eriola Bibolli (Kryetare), Moritz Reme (Zëvendëskryetar), Yll Dushi (Përgjegjës Thesari), Pranvera Ejupi (anëtare), Bedri Xhafa (anëtar), Hana Qerimi (anëtare) dhe Drinor Selmanaj (anëtar).

Kryetare e Bordit u zgjodh Eriola Bibolli, drejtoreshë ekzekutive e Pro Credit Bank Kosova, dhe vjen me një përvojë të gjatë pune në fushën e bankave dhe financave.

“Jam e nderuar që zgjidhem si kryetare e Bordit dhe mezi pres të punoj me OEGJK-në për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta”, tha Biboli.

Teksa kryetari i deritanishëm Besnik Beqiri uroi bordin e ri në udhëheqjen e mëtejme, duke potencuar edhe të arriturat e odës.

“Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ndër vite është bërë një nga shoqatat më të fuqishme në Kosovë dhe ne jemi krenarë për të arriturat që kemi bërë”, tha Beqiri.

Zëvendës-ambasadori gjerman në Kosovë, Matthias Conrad si anëtar nderi i Bordit të OEGJK-së tha se roli pozitiv i odës është lehtë i vrejtshëm për shkak të punës që është bërë.

“OEGJK është më mirë se kurrë më parë dhe ka shumë më shumë anëtarë, por edhe ka më shumë cilësi se kurrë më parë. Ky është sukses shumë i madh, teksa për OEGJK-në flitet mirë në Prishtinë dhe në Berlin”, tha zëvendësambasadori Conrad.

Nora Hasani, Drejtoreshë Ekzekutive, gjatë shpalosjes së raportit të punës për këto vite, shtoi se ”Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka qenë kyqe në krijimin e mundësive të reja për bizneset si në Gjermani ashtu edhe në Kosovë, duke luajtur rol kyq në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes bizneseve”.

Anëtarët e deritashëm të bordit u nderuan edhe me mirënjohje për punën e tyre dy-vjeçare. Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV/OEGJK) ka rreth 200 anëtarë dhe është një organizatë që promovon bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin ndërmjet bizneseve gjermane dhe kosovare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat