PDK mban tubim në Drenas me veteranët e UÇK-së, Krasniqi i cilëson heronj të gjallë

Kosova

PDK mban tubim në Drenas me veteranët e UÇK-së, Krasniqi i cilëson heronj të gjallë

Më: 28 shtator 2025 Në ora: 21:12
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot mbajti tubim elektoral në Drenas me veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se sakrifica e UÇK-së është e pakrahasueshme dhe e jashtëzakonshme, e për këtë sipas tij, populli gjithmonë ua di për nder.

Krasniqi: Të qëndrosh para jush është sikur të qëndrosh para historisë

“Është gjithmonë emocion i veçantë por edhe nder i jashtëzakonshëm të qëndroj në mesin e burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, brezit të artë dhe më të suksesshëm në historinë e popullit shqiptar. Të qëndrosh para jush është sikur të qëndrosh para historisë, t’i flasësh historisë, të ju flasësh heronjve të gjallë të kësaj toke, dhe ky padyshim që është privilegj i veçantë, prandaj, para së gjithash ju jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj e sakrificën e jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme për lirinë e popullit tonë, e në të njëjtën kohë të flasësh para jush është gjithmonë më e lehtë. Sepse e di që po i flas kategorisë e cila më mirë se kushdo tjetër e din çka është besa dhe çka është betimi. E din çka është guximi dhe vizioni për të ardhmen, e di çka është uniteti dhe puna e përbashkët ekipore, por e din çka është lidershipi dhe çka është shteti”, tha ai

Kurse kandidati për kryetar, Petrit Hajdari u shpreh se kurrë nuk është ndier më i përmbushur sesa sot, duke i falënderuar veteranët për pjesëmarrjen në tubim.

Hajdari: Nuk thuhet kot që filozofia e të qenit i lirë nuk është asgjë tjetër vetëm luftë për liri

“Shumë të dashura familje të dëshmorëve, invalidëve, veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asnjëherë në jetën time nuk kam qenë më i përmbushur sesa sot, kjo është dëshmia më e mirë sepse kur i do ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës, askush nuk mund ta thej. Faleminderit secilit për pjesëmarrjen tuaj kaq masive në këtë takim. Nuk thuhet kot që filozofia e të qenit i lirë nuk është asgjë tjetër vetëm luftë për liri, prandaj, ju luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e keni kuptuar drejtë sepse pa e rrokë pushkën Serbia nuk ikën nga këtu, prandaj u bëtë bashkë, e liruat Kosovën dhe i kallxuat Serbisë se pse këtu nuk ka vend. Faleminderit për të gjithë angazhimin tuaj që e kemi pasur nga ju edhe gjatë luftës. Partia Demokratike e Kosovës në Drenas është e madhe, është e pathyeshme sepse e ka mbështetjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe askush nuk mund ta thej, dhe Drenasi ka për të mbetur bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike të Kosovës. E kemi amanet nga liderët tanë historik, nga presidenti Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli e Jakup Krasniqit. Ne më 12 tetor do e dërgojmë mesazhin se Drenasi nuk thehet.”, tha Hajdari

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor, ku qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës do të votojnë për kryetarë të komunave të tyre dhe për asambleistët në Kuvendin Komunal.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat