Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka mbajtur sot seancën inauguruese, ku është zhvilluar ceremonia e betimit të kryetarit Ferit Idrizi dhe asamblistëve të rinj të kësaj komune.
Idrizi, në fjalën e tij pas betimit, paralajmëroi vazhdimin e projekteve zhvillimore për qytetin e Vushtrrisë dhe fshatrat e tij, modernizimin e administratës dhe forcimin e arsimit, shëndetësisë, infrastruktures dhe ekonomisë lokale.
Idrizi tha se mandati i ri do të fokusohet edhe në rend dhe ligj dhe rritje të efikasitetit të shërbimeve publike .
“Ky besim më obligon edhe më shumë që të punoj me përkushtim, transparencë të vazhdoj të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim. Detyra ime dhe e ekipit tim është të siguroj që çdo hap që ndërmarrim të jetë në shërbim të qytetarëve, me transparencë në efikasitet dhe vendime që përmirësojnë jetën e secilit".
"Gjatë këtij mandati do të vazhdojmë me projekte zhvillimore në qytet e fshatra për modernizim të administratës, përforcim të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe ekonomisë lokale. Po ashtu do të punojmë për më shumë rend e ligj, si dhe shërbime më të shpejta për qytetarët”, tha Idrizi.