Në Zonën Operative të Shalës, ish-ushtarë dhe bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bashkuar në kuadër të aktivitetit “Zjarri i Lirisë”, duke ngritur zërin në mbështetje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Përmes këtij aktiviteti, veteranët, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe qytetarët e kësaj zone kanë përcjellë mesazhin se çlirimtarët nuk janë vetëm dhe se mbështetja për ta është njëkohësisht mbështetje për historinë, sakrificën dhe luftën çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit, nga Zona Operative e Shalës është kërkuar drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, me bindjen se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për liri dhe se kjo e vërtetë duhet të mbrohet.
“Zjarri i Lirisë” po vazhdon nga njëra zonë operative në tjetrën, duke bashkuar bashkëluftëtarët dhe qytetarët rreth një mesazhi të përbashkët: kujtesë, drejtësi, dinjitet dhe liri.
Nga Shala, mesazhi është i qartë: qëndrojmë pranë bashkëluftëtarëve tanë. Qëndrojmë pranë çlirimtarëve.
Aktivitetet vazhdojnë drejt Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.