​Këto janë ngecjet në qeverisjen lokale, kërkohet bashkëpunim më i madh mes qeverisë dhe komunave

Kosova

​Këto janë ngecjet në qeverisjen lokale, kërkohet bashkëpunim më i madh mes qeverisë dhe komunave

Më: 8 tetor 2026 Në ora: 12:10
Fotoilustrim

Mungesa e bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal, mungesa e koordinimit dhe llogaridhënies janë disa prej gjetjeve të raportit gjithëpërfshirës mbi zbatimin e parimeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore që u publikua sot.

Anëtari i grupit të ekspertëve të pavarur për Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, Francesco Palermo, tregoi ngecjet kryesore të pushtetit lokal në Kosovë.

Këto janë ngecjet në qeverisjen lokale

“Procesi i konsultimeve, ky proces është ende i dobët në legjislacion dhe praktikë. Një çështje me boshllëqe na shpie drejt përgjegjësive të mjegulluara. Llogaridhënia nuk është mjaft e qartë, këtu mund të kemi një hedhje të fajësimeve. Kemi legjislacione që kryqëzohen në dispozita të ndryshme të vetëqeverisjes lokale. Ka nevojë të ketë një koordinim më të mirë, posaçërisht në fusha specifike, menaxhimi, prona, kadastra, zjarrfikësit, menaxhimi i mbeturinave, rekrutimi i stafit, ku vetëqeverisja lokale nuk ka një autonomi të mjaftueshme. Këto tri çështje që dua t’i përmendi janë të drejtat e komuniteteve, konsultimet dhe mbrojtja gjyqësore e nivelit lokal”, tha Palermo.

Nikoqirja e konferencës, drejtoresha e Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Claudia Luciani, tha se qëllimi i këtij raporti është të ofrohet një pikënisje objektive për reformat që duhet zbatuar autoritetet në Kosovë.

Luciani: Zbatoni reformat për qeverisjen lokale

“Qëllimi është konstruktiv, në mënyrë që të ofrohet një pikënisje objektive për reformat përpara jush dhe të përkrahet puna që tashmë po e bëni. Besojmë se autoritetet solide janë themelet për një demokraci të qëndrueshme. Këtë raport shiheni jo vetëm si një lloj gjykimi përfundimtar apo raporti shkollor, por si një gurthemel për të vazhduar diskutimin së bashku tutje”, tha ajo.

Pjesë e publikimit të këtij raporti ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se për ekzekutivin vetëqeverisja lokale është një nga shtyllat kryesore të funksionimit demokratik të shtetit.

Ai përmendi strategjinë e re që qeveria ka në fokus, ku sipas tij, do të rritet cilësia e shërbimeve në nivelin lokal dhe besimi i qytetarëve në institucione.

Si do të përmirësohen raportet mes qeverisë e komunave? Kjo është përgjigjja e ministrit Krasniqi

“Për Qeverinë e Kosovës vetëqeverisja lokale është një nga shtyllat kryesore të funksionimit demokratik të shtetit. Komuna është niveli që ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve duke kthyer politikat publike në zhvillim dhe mirëqenie... Strategjia e re përfshin edhe asamblenë e qytetarëve në komuna, si një mekanizëm që krijon më shumë hapësirë për pjesëmarrje dhe dialogun ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve lokale. Një vetëqeverisje lokale funksionale kërkon institucione transparente dhe llogaridhënëse, administratë profesionale dhe menaxhim të bazuar në performancë. Këto elemente ndikojnë në cilësinë e shërbimeve dhe besimin e qytetarëve në institucione. Marrëdhënia ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal duhet të mbështetet në role të qarta dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, tha Krasniqi.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, u shpreh kritik ndaj qeverisë, duke thënë se pozita e komunave në disa fusha është më e dobët sesa para ardhjes në pushtet të kryeministrit Albin Kurti.

“Pozita e komunave më e dobët”, kryetari i Asociacionit kritikon Kurtin

“Përvoja e përditshme e komunave na thotë se në disa fusha thelbësore pozita e tyre reale është më e dobët sesa në vitin 2021. Komunat përballen me më shumë presion, detyrime që nuk mbulohen nga financimi përkatës dhe vendime që ndikojnë në kompetencat e tyre pa një konsultim të mirëfilltë. Shqetësimi për centralizimin, i ngritur prej kohësh nga Asociacioni i Komunave, kërkon një përgjigje konkrete”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat