Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se do të procedojë me suspendimin nga detyra të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, pas ndalimit të tij për 48 orë nën dyshimin për dhunë në familje.
Në një reagim publik, SHSKUK ka bërë të ditur se masa e suspendimit do të ndërmerret pas konfirmimit zyrtar nga organet e rendit dhe drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
SHSKUK i ka cilësuar si jashtëzakonisht të rënda pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje, duke ritheksuar qëndrimin për tolerancë zero ndaj çdo forme të dhunës.
“Askush nuk është mbi ligjin”, thuhet në reagim.
Po ashtu, SHSKUK ka bërë të ditur se do të sigurojë vazhdimësinë e udhëheqjes dhe funksionimin normal të Spitalit të Mitrovicës, pa cenuar ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Ndërkaq, ndalimin e Berishës për 48 orë e ka konfirmuar për KosovaPress Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ajo ka bërë të ditur se ndalimi është bërë me urdhër të prokurorit kujdestar.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’”, ka thënë Shala.
Shala ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.