Briatore, Galliani dhe Carnevali ëndërrojnë kalimin te Milani

Sporti

Briatore, Galliani dhe Carnevali ëndërrojnë kalimin te Milani

Më: 16 maj 2026 Në ora: 16:02
Briatore, Carnevali e Galliani

Në Itali po flitet gjithnjë e më shumë për një revolucion të mundshëm në drejtimin e AC Milanit, ku disa emra të njohur të sportit italian mund të marrin role kyçe në të ardhmen e klubit kuqezi.

Njëri prej emrave më interesant është Flavio Briatore, aktualisht “Executive Advisor” te skuadra Alpine në Formula 1 dhe tifoz i madh i Juventusit.

Biznesmeni italian njihet si një nga figurat më të fuqishme në motorsport, pasi në të kaluarën udhëhoqi Benettonin dhe Renaultin drejt titujve kampionë në Formula 1 me Michael Schumacher dhe Fernando Alonso.

Një tjetër figurë legjendare është Adriano Galliani, ish-drejtori historik i Milanit gjatë epokës së Silvio Berlusconit. Galliani ishte një nga arkitektët kryesorë të suksesit të madh kuqezi, ku Milani fitoi dhjetëra trofe italianë dhe evropianë. Kohëve të fundit është raportuar se rikthimi i tij në “Casa Milan” është diskutuar seriozisht nga Gerry Cardinale.

Në listë përmendet edhe Giovanni Carnevali, administratori i deleguar i Sassuolos, i njohur në Itali si një prej menaxherëve më të aftë në aspektin sportiv dhe financiar. Carnevali ka ndërtuar reputacion të madh me projektin e Sassuolos dhe shihet si figurë ideale për modernizimin e klubit.

Mediat italiane raportojnë se këta emra mund të jenë pjesë e një projekti të ri të Milanit, ndërsa pronari Gerry Cardinale po analizon ndryshime të mëdha në strukturën drejtuese të klubit pas një sezoni me shumë polemika.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat