Komiteti Olimpik i Kosovës i përgjigjet Visar Alimehajt: Ekzistojnë edhe dëshmitë...

Sporti

Komiteti Olimpik i Kosovës i përgjigjet Visar Alimehajt: Ekzistojnë edhe dëshmitë...

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 21 shtator 2026 Në ora: 19:05
Ismet Krasniqi

Të shtunën që e lamë pas, Visar Alimehaj, ish-nënkryetar i Federatës së Volejbollit të Kosovës, ka komentuar publikisht se ka dështuar një projekt për sportin e Kosovës, sipas tij me vlerë 136 milionë dollarë kanadezë.

Sipas tij, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, nuk është përgjigjur në emaila.

Gazeta kombëtare “Bota sot” iu drejtua me pyetje Komitetit Olimpik të Kosovës dhe presidentit të këtij institucioni, për të sqaruar se sa është e vërtetë ajo që thotë Visar Alimehaj në komentin e tij: “Ismeti kurrë nuk u takua me anëtarët e Komitetit Olimpik të Kanadasë.

Ata e priten për takim edhe në Paris gjatë Lojërave Olimpike, por nuk shkoj. Ka 2 vjet që e presin por nuk përgjigjet në emaila.

Për fund projekti i ndërtimit të një Qendre Sportive Kanadezo-Kosovare (me dy fusha sporti, bazen gjysëm olimpik, sallë fitnesi, bibliotekë e shumë salla tjera përbërëse të kësaj qendre (community center) shkoj në një vend tjetër.

E dinë shumë shok të mi për këtë, bile njëri nga ta është Agron Nikçi (drejtor për punë komunale në Pejë) më that a ta bimë Kryetarin e Komunës të takohet, veç a bohet ky projekt me ardh në Pejë.

I thash së pari duhet marrëveshje mes Komiteteve Olimpike pastaj për vendin ku do të ndërtohet mundemi me zgjedh Pejën se i plotëson kushtet e Kanadezeve”.

Komiteti Olimpik i Kosovës i përgjigjet Alimehajt, duke sqaruar rastin, dhe sipas tyre, ekzistojnë edhe dëshmitë.

“Si Komitet Olimpik i Kosovës, mirëpresim çdo iniciativë të kontribuesve të sportit që, përmes kontakteve dhe lidhjeve të tyre ndërkombëtare, synojnë të krijojnë mundësi bashkëpunimi dhe investimi në infrastrukturën sportive të vendit tonë, qoftë përmes Komiteteve Olimpike Kombëtare apo institucioneve dhe organizatave të tjera.

Në rastin konkret, nga personi në fjalë, z. Visar Alimehaj, në asnjë moment nuk është përmendur ndërtimi i një qendre sportive apo ndonjë investim i ngjashëm në Kosovë nga Komiteti Olimpik i Kanadasë, por vetëm bashkëpunim mes dy KO rëndom siç ndodh mes Komiteteve Olimpike dhe dërgim të sportistëve në Kanadë dhe anasjelltas.

Megjithatë, meqenëse ishte prezantuar si një mundësi për bashkëpunim, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi kishte shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të takuar përfaqësuesen e Komitetit Olimpik të Kanadasë në Birmingham të Anglisë.

Pavarësisht gatishmërisë dhe pritjes së presidentit Krasniqi, takimi nuk është realizuar, pasi përfaqësuesja në fjalë nuk është paraqitur.

Edhe herën e dytë, gjatë LO Paris 2024 presidenti Krasniqi ka caktuar takimin, për çka ekzistojnë edhe dëshmitë dhe sërish e njëjta nuk është paraqitur.

Për rrjedhojë, aludimet dhe pretendimet e tjera të bëra nga z. Alimehaj lidhur me këtë çështje nuk përputhen me komunikimet dhe rrethanat faktike të njohura për KOK-un. Ne mbetemi të hapur për çdo iniciativë serioze dhe konkrete bashkëpunimi, por konsiderojmë se deklarimet publike për çështje të tilla duhet të bazohen në fakte dhe në komunikime të dokumentuara, në mënyrë që opinioni publik të informohet drejt dhe të shmangen keqinterpretimet”, e ka sqaruar situatën Komiteti Olimpik i Kosovës.

Visar Alimehaj drejton gishtin edhe nga Bahri Gjinovci, president i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

“Para dy vitesh e mundësova një bashkëpunim ndërmjet Komitetit Olimpik të Kanadasë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

Fillimisht ishte për bashkëpunim profesional dhe shkëmbim të lojtarëve e trajnerëve, platformën online të Coaches Assotiation of Canada që përfshin kurse për trajnerë dhe i thash Ismet Krasniqit: "Ti në takim kërko çfarëdo që të duhet, çfarëdo që i nevojitet Kosovës dhe unë pastaj e rregulloj nga këtu që të realizohet". Ismeti fillimisht u gëzu dhe më falënderoj shumë.

Por çfarë ndodhi pastaj, me urdhër të Bahri Gjinovcit, Ismeti kurrë nuk u takua me anëtarët e Komitetit Olimpik të Kanadasë. Ata e priten për takim edhe në Paris gjatë Lojërave Olimpike, por nuk shkoj.

Ka 2 vjet që e presin por nuk përgjigjet në emaila.

Për fund projekti i ndërtimit të një Qendre Sportive Kanadezo-Kosovare (me dy fusha sporti, bazen gjysëm olimpik, sallë fitnesi, bibliotekë e shumë salla tjera përbërëse të kësaj qendre (community center) shkoj në një vend tjetër.

E dinë shumë shok të mi për këtë, bile njëri nga ta është Agron Nikçi (drejtor për punë komunale në Pejë) më that a ta bimë Kryetarin e Komunës të takohet, veç a bohet ky projekt me ardh në Pejë.

I thash së pari duhet marrëveshje mes Komiteteve Olimpike pastaj për vendin ku do të ndërtohet mundemi me zgjedh Pejën se i plotëson kushtet e Kanadezeve.

Kushti i vetëm i kanadezëve ishte që kjo community center të përdoret nga ekipet kombëtare kanadeze në qoftë se marrin pjesë në ndonjë Olimpiadë apo Kampionat Botëror që organizohet në Evropë, ekipet e tyre së pari të vijnë për akomodim në Kosovë.

Kjo qendër e ka pas vlerën 136 milion dollar kanadez.

Krejt këto të mira unë vetëm i kam mundësu, pa asnjë interes të vetëm.

Nuk kam fol që 2 vite por tani le të dihet. Në qoftë se Ismet Krasniqi i mohon këto, unë i kom faktet, bisedat në viber me të dhe emailit e shkëmbyer me të dhe Jannifer Nadolny (Director of Public Affairs Canadian Olympic Committee)”, ka komentuar Alimehaj.

I kemi dërguar pyetje edhe Bahri Gjinovcit, ku presin përgjigje nga ai, se a është e vërtet se ai ka urdhëruar për një rast të tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat